Ministri Peleshi: 70 kuota studimi në Akademinë e Forcave të Armatosura
2024-07-18 11:24:05

Forcat e armatosura (Foto RTSH)

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi se janë 70 kuota studimi për të gjithë të rinjtë që duan të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Ministri u bëri thirrje të gjithë maturantëve që duan të bëhen pjesë e Akademisë prestigjioze të Forcave të Armatosura që të aplikojnë në fazën e përzgjedhjes së programeve të studimit për ciklin e parë bachelor, bën të ditur “RTSH”.

Faza e përzgjedhjes po afron, shkruan ministri, ndaj maturantët kanë mundësi të studiojnë në një nga programet e Akademisë së Forcave të Armatosura duke plotësuar formularin elektronik në portalin “UAlbania” “link: http://ualbania.al”.

“Bëhuni pjesë e 70 kuotave duke zgjedhur një nga programet e studimit, siç janë: Marrëdhënie Ndërkombëtare në Fushën e Mbrojtjes: Teknologji Informacioni dhe Komunikim në Fushën e Mbrojtjes; Shkenca Komunikimi në Fushën e Mbrojtjes”,- shkruan ministri Peleshi.

Gjithashtu, ministri shpërndau edhe disa nga përfitimet si student i kësaj akademie: “Pagesë mujore dinjitoze, akomodim dhe ushqim falas gjatë gjithë periudhës së studimit, tarifë regjistrimi 0 lekë për të katërta vitet, punësim dhe pension të sigurt, janë vetëm disa nga përfitimet si student i kësaj akademie”. (Elona)