Takimi per emigracionin (Foto RTSH)
Task forca e përbashkët Shqipëri-Kosovë-Britani e Madhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e emigracionit të paligjshëm ka rezultuar e suksesshme.
Në takimin e radhës tripalësh të Komitetit Mbikëqyrës të task forcës së përbashkët, ministri i Brendshëm shqiptar, Taulant Balla, tha se shkëmbimi i informacionit në kohë reale midis strukturave policore dhe bashkëpunimi i ngushtë me SPAK-un i shërben parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në Shqipëri, citon “RTSH”.
“Kemi mundësuar dhe arritur kthimin e mbi 4000 personave, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe po ashtu theksoj se task forca e përbashkët për emigracionin ka operacionalizuar bashkëpunimin tonë për emigracionin dhe ka forcuar qëndrueshmërinë e kufirit, duke trajtuar rrugët e përdorura nga grupet e krimit të organizuar, duke kontrabanduar para, drogë, në mënyrë të jashtëligjshme. Këtë verë po bashkëpunojmë në operacione të përbashkëta policore. Në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, për vitin 2023, në raport me Britaninë e Madhe kemi realizuar 50 operacione riatdhesimi dhe janë deportuar gjithsej 2250 shtetas shqiptarë për motive nga më të ndryshmet, qoftë për qëndrim ilegal, qoftë për vepra penale që lidhen me kultivimin e paligjshëm të lëndëve narkotike. Gjatë këtij 6-mujori të parë të 2024-s kemi pasur 25 operacione riatdhesimi me 1120 shtetas të riatdhesuar”,- informoi ministri Balla.
Ai uroi gjithashtu ministren britanike Cooper, për marrjen e detyrës dhe u shpreh i sigurt në forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen. (Elona)