Kryeministri Rama: Rritja e çmimeve në jug, e palogjikshme
2024-07-18 10:13:55

Edi Rama (Foto RTSH)

Rritja e çmimeve gjatë sezonit veror, kryesisht në bregdet, ka nxitur reagimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Gjatë takimit me kryetarët e bashkive, Rama deklaroi se kjo rritje e çmimeve është e palogjikshme, citon “RTSH”.

Sipas tij, abuzimet evidentohen më tepër në Vlorë, pasi, sikurse deklaroi kreu i qeverisë, Durrësi, Shëngjini dhe Velipoja kanë çmime të qëndrueshme.

Rama u shpreh se para se të jetë tepër vonë, duhet të komunikohet në mënyrë të vazhdueshme që çmimet të jenë të arsyeshme.

Kryeministri theksoi se është e padrejtë dhe e turpshme që të krijohet klimë absurde në këtë moment të shkëlqimit të turizmit.

“Rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Po të ishte kaq kollaj do ta kishte bërë gjithë bota këtë sport. Para se të jetë vonë, duhet të komunikohet në mënyrë të vazhdueshme që çmimet të jenë të arsyeshme. Askush s’mund t’ua imponojë, por ama është edhe çështje dije.

Ideja që: meqë na thanë vjet që Shqipëria është shumë e lirë dhe ne po ia hedhim në erë të gjitha tavanet e arsyes së çmimeve është ide komplet e çmendur.

Ndërkohë shihni Durrësin, Shëngjinin, Velipojën. Tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar dhe kaq konkurruese nga pikëpamja e asaj që përfaqëson, gropa në gjoksin e vlonjatëve do të jetë një gropë ku do të bien vetë. E ka bërë Bullgaria dhe e ka paguar me vite të tëra, nuk ktheheshin dot aty ku ishin”,- u shpreh Rama.

Sa u përket lajmeve që qarkullojnë për plazhet bosh të jugut, Rama e quajti sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin. Sipas kreut të qeverisë, janë hapur profile false në rrjetet sociale që komentojnë kundër turizmit në Shqipëri dhe publikojnë lajme të rreme. (Elona)