Foto nga Panorama
Ndonëse renditet ndër shtetet që ka pagat më të ulëta në Europë, Shqipëria kryeson në një tjetër tregues, atë të orëve të punës.
Të dhënat e fundit të INSTAT-it tregojnë se në vitin 2023, orët mesatare javore të punës për të punësuarit me pagë ishin 43.7, pa ndryshim nga viti i mëparshëm, ndërsa orët mesatare javore të punës gjithsej në ekonomi ishin 42, shkruan “Panorama”.
Me të dy këta tregues, Shqipëria renditet e dyta në Europë pas Turqisë, me punonjësit e kësaj të fundit që punojnë 44.2 orë në javë.
Sipas Eurostat-it, mesatarja e Bashkimit Europian në vitin 2023 për të punësuarit ishte shumë më e ulët, në 36.1 orë në javë, nga 36.4 vitin e mëparshëm.
Edhe brenda BE-së ka shumë dallime. Javët më të gjata të punës u regjistruan në Greqi (39.8 orë), Rumani (39.5), Poloni (39.3) dhe Bullgari (39).
Holanda kishte javën më të shkurtër të punës (32.2 orë), e ndjekur nga Austria (33.6) dhe Gjermania (34).
Në rajon përgjithësisht punohet më gjatë. Në Serbi punohet 41.7 orë në javë, në Maqedoninë e Veriut 39 (e dhëna e vitit 2020), në Malin e Zi 42.8 (e dhëna e vitit 2020), në Bosnjë-Hercegovinë 41.4. (Elona)