Ndryshon orari i punës për administratën publike
2024-07-18 11:03:51

Foto nga RTSH

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka reaguar pas lajmeve për shkurtimin e orarit të punës për punonjësit e administratës publike, për shkak të të nxehtit afrikan që ka përfshirë vendin.

Ministrja sqaron se nuk bëhet fjalë për reduktim të orarit, por ndryshimi lidhet me një VKM për rregullat e reja të kohëzgjatjes në punë. Këto rregulla përfshijnë konceptin e orarit ditor fleksibël për çdo punonjës të administratës publike, bën të ditur “RTSH”.

Projektvendimi propozon që brenda kohëzgjatjes ditore të punës, të punësuarit të kenë mundësinë të zgjedhin oraret kur do të kryejnë orët e plota të ditës së punës, duke caktuar një fashë orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në punë.

Propozimi në fjalë parashikon që punonjësi i administratës mund të zgjedhë një orar pune fleksibël, duke respektuar gjatë katër ditëve të javës kohëzgjatjen prej 8 orë e 30 minuta nga e hëna e deri të enjten, ndërsa të premten orari i punës zbret në 6 orë. Fasha e detyrueshme orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në vendet e tyre të punës, të jetë çdo ditë nga ora 09:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premten nga ora 09:30 deri në orën 13:00. (Elona)