Foto nga RTSH
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ka raportuar në Komisionin parlamentar shqiptar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë lidhur me situatën e ndodhur në Spitalin Onkologjik në QSUNT, si dhe me gjetjet e raportit të KLSH-së të vitit 2022 për sëmundjet tumorale.
Ministrja Koçiu që në fillim të fjalës së saj u shpreh se është pretendim i pavërtetë dhe dashakeqës se aparaturat e pajisura me substancë radioaktive si kobalti janë lënë korridoreve të spitalit, duke dëmtuar shëndetin e qytetarëve dhe mjekëve nga rrezatimet, citon “RTSH”. Sipas saj, aparatura ka qenë gjithmonë brenda kapsulës së saj mbrojtëse, duke bërë të pamundur përhapjen e rrezatimit.
Ministrja Koçiu theksoi se vetëm në tre vitet e fundit, buxheti për sigurimin e barnave për trajtimin e tumoreve është rritur me 4-fish.
Ajo vuri në dukje se çdo vit është shtuar lista e barnave nëpër spitale dhe ajo e rrjetit të hapur duke mbuluar sëmundje të përhapura si diabeti, sëmundjet onkologjike, ato kardiovaskulare etj.
“Tashmë është e mbuluar dhe linja e parë e terapisë për të gjitha llojet e kancerit dhe shumica e linjave të dyta e treta, si p.sh. për kancerin e gjirit, atë të ovarit, kolorektal etj. me preparate bashkëkohore. Kjo e mundësuar dhe me anë të politikave për barna inovatore, të aplikuara me sukses prej disa vitesh”,- tha ministrja.
Në vitet e fundit, lista e barnave me rimbursim është pasuruar me 74 barna të reja, duke përfshirë 13 barna onkologjike. Për diagnozën e kancerit të gjirit, shpenzimet e rimbursimit kanë ardhur në rritje nga viti në vit, nga 4.4% shpenzimeve totale të rimbursimit në 5.7%.
Sa i përket përmirësimit të kujdesit paliativ, ministrja Koçiu bëri të ditur se janë përfshirë 92 barna me rimbursim.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se kimioterapitë, që më përpara kryheshin në kushte primitive vetëm në Onkologjikun e Tiranës, tashmë kryhen në shumë nga spitalet rajonale, duke reduktuar drastikisht kostot për qytetarët.
Ndërsa sa u përket rekomandimeve të KLSH-së, ministrja tha se shumë prej këtyre rekomandimeve janë adresuar dhe të tjera janë në proces trajtimi. (Elona)