Bizneset dhe shoqatat tregtare kanë shprehur vazhdimisht vështirësinë në gjetjen e fuqisë punëtore, e cila në mënyrë të pashmangshme çon në uljen e planeve të rritjes së vetë kompanive. Sot drejtues të bizneseve të ndryshme kanë hedhur sytë nga punëtorët e huaj për të përmbushur nevojën e fuqisë punëtore. Kriza e fuqisë punëtore po ndihet thuajse në të gjithë sektorët.
Një nga kompanitë që po rekruton punonjës nga jashtë tregon trendin e kërkesave.
Në një intervistë për Radio Ejani, Suzana Aga, CEO e Agility Group Albania thotë se në këtë periudhë hotelet janë në pikun e kërkesave për punonjës.
Industria fason punonjes te huaj (Foto Radio club FM)
“Çeshtja e punësimit tashmë është globale. Nuk mund të përcaktojmë saktësisht një fushë e cila ka më shumë nevojë se një fushë tjetër, pasi të gjitha bizneset kanë nevojë për punonjës. Jemi në sezon veror dhe hotelet dhe restorantet janë në pikun e aktivitetit të tyre dhe kanë më shuma kërkesa, por edhe në fusha të tjera si prodhim, fasoneri, bujqësi ka nevojë për forca pune ”- thotë Suzana Aga.
Mungesa e fuqisë punëtore dhe qarkullimi i shpeshtë i punonjësve për shkak të emigracionit po ndikon negativisht në rentabilitetin e sipërmarrjeve, sidomos atyre prodhuese. Punonjësit e rekrutuar janë kryesisht nga India, Afrika dhe Filipinet.
” Ne kemi sjellë në Shqipëri punonjës nga disa nacionalitete. Gjatë punës sonë në treg kemi arritur të zgjedhim shtete që nacionalitetet e tyre i përshtaten më mire tregut shqiptar. Nga ana profesionale këto shtete do t’i quaja të sigurtë. Ne po punojmë me Indinë, Afrikën dhe Filipinet, jo se nuk kemi mundësi të punojmë me shtete si Bangladeshi, Pakistani apo Nepali, por nëse shikoni shifrat në zyrat e emigracionit, këto janë shtete që hyjnë me rrezikshmëri të lartë dhe pothuajse janë larguar në 99% të rasteve”, u shpreh Aga
Në finale kosto për një punonjës të huaj nuk shkon më tepër se ajo për punonjësit vendas shprehet ajo.
“Kostoja e një punonjësi të huaj shkon përkatësisht sa kostoja e një punonjësi shqiptar. Nga ana dokumentare, subjektit i duhet të plotësojë më shumë dokumenta, por një punonjës që vjen nga një shtet si India apo Afrika, paguhet më pak sesa një punonjës shqiptar për teë njejtin pozicion pune. Nëse një indian paguhet me 40.000-50.000 All, një punonjës shqiptar paguhet me 70.000-80.000 All. Diferenca kompensohet në vlerë Netto, që do të thotë se të gjitha kostot shtesë si akomodimi, ushqimi apo dokumentacioni janë sa kostoja e pagesës së një punonjësi shqiptar”
Kjo agjenci bën të mundur përputhjen e nevojës që ka biznesi me punonjësin e duhur.
Punonjës të huaj në Shqipëri (Foto Ora News)
“Për ne tashmë nuk është e vështirë të gjejmë punonjës nga jashtë për tregun shqiptar, pasi kemi vite qe punojmë dhe kemi arritur të sjellim në Shqipëri punonjës nga të gjitha fushat. Fillimisht ka qenë mjaft e vështirë pasi na është dashur që të kemi analiza të thelluara, përsa i përket shteteve ku operojmë dhe përshtatshmërisë që ata do të kenë me tregun shqiptar, por pas disa viteve i kemi të gjitha mundësitë që për një kohë shumë të shkurtër të gjejmë kandidatët e duhur për klientët tanë.”
Kontratat e punës së punonjësve të huaj në Shqipëri janë kryesisht 1 vjeçare, por rinovohen në rast se bizneset mbeten të kënaqura.
“Kontratat i përshtaten vizave të punës, me të cilën punonjësit vijnë në Shqipëri, pra 1 vjeçare, por ata rrijnë më shumë se 1 vit, pasi dëshira e punonjësit por edhe e subjektit është që të rrijnë për një kohë më të gjatë, që do të thotë mund të bëhen dhe kontrata 5 vjeçare”
Nisur nga kërkesat, Agility Group i përgjigjet nevojave të tregut të punës edhe jashtë.
“Ne aktualisht bëjmë të mundur jo vetëm sjelljen e punonjësve aziatikë në Shqipëri dhe Ballkan, por gjithashtu transferojmë punonjësit shqiptarë dhe nga Ballkani drejt shteteve europiane, Gjermani, Kroaci, Hollandë, Itali pasi kërkesat për keto vende janë shumë të larta. Fokusi ynë janë shtetet europiane, bëjmë kalimin e punonjësve nga Ballkani drejt Gjermanisë, Italisë, Kroacisë dhe më tej, në profile të ndryshme pune dhe me dokumentacione të rregullta. Gjermania është shteti kampion përsa i përket kërkesave të larta të shtetasve shqiptarë dhe të Ballkanit për të punuar”
Punonjëse nga Filipinet (Foto Syri tv)
Agility Group Albania është një biznes familjar që drejtohet nga motër e vëlla.
“ Agility lindi si ide e imja dhe e tim vëllai sepse të dy vijmë nga sektori privat, përkatësisht unë si administratore dhe financiere dhe im vëlla si programues brenda dhe jashtë vendit. Operojmë në disa fusha si punësim, pastrim, programim dhe real estate dhe kompania menaxhohet nga ne të dy. Ne operojmë në Shqipëri dhe jo vetëm nëpërmjet agjentëve dhe bashkëpunëtorëve. “
Në treg i diferencon korrektësia dhe eksperienca mbi 5 vjeçare.
“Agjensi punësimi ka dhe hapen çdo ditë, por konkurrentët tanë nuk janë agjensitë shqiptare të punësimit, sepse ne jemi në të gjithë Europën dhe Ballkanin.
Vështirësia në garantimin e fuqisë punëtore është bërë një problem i vazhdueshëm. Disa kompani theksojnë se mungesa e fuqisë punëtore po i pengon në zgjerimin e aktivitetit dhe ndërmarrjen e projekteve të reja.
Suzana Aga (Foto Class lifestyle.com)