Hyrja në SEPA, Sejko: Përfitimi deri në 20 milionë euro në vitin e parë
2024-07-18 14:31:32

Foto nga RTSH

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, raportoi në Komisionin parlamentar për Çështjet Europiane lidhur me Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA).

Guvernatori renditi përfitimet ekonomike nga anëtarësimi në SEPA, që sipas vlerësimeve të bankës  mund të arrijnë deri në 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim, citon “ATSH”.

Sejko tha se lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, BE-në, nxit zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare me të.

“Duke lehtësuar kryerjen e transaksioneve, bizneset shqiptare kanë akses në një treg të madh me mundësi për zgjerimin e shërbimeve dhe produkteve dhe rritjen e konkurrencës, duke i siguruar partnerët europianë se do të marrin të njëjtin trajtim si brenda BE-së”,- theksoi ai.

Pothuajse të gjitha dërgesat e emigrantëve vijnë nga vendet e Bashkimit Europian dhe Mbretëria e Bashkuar, edhe kjo e fundit anëtare e SEPA-s.

“Lehtësitë që sjell SEPA do të nxisin përdorimin e kanaleve zyrtare për transfertat e remitancave, përpos rritjes së vlerës së kursimeve”,- shtoi ai.

Sipas tij, pjesëmarrja në SEPA nxit ngritjen e një sistemi pagesash efikas dhe të besueshëm për vende të vogla si Shqipëria. (Elona)