Përfaqësues i përhershëm i Kinës e quan NATO-n "ngatërrestare" në Këshillin e Sigurimit të OKB-së
2024-07-17 16:13:10

Foto nga CMG

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Fu Cong bëri një kritikë të ashpër ndaj NATO-s gjatë një debati të hapur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi rendin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin shumëpalësh.

Fu i akuzoi NATO-n dhe disa vende të veçanta për përkeqësimin e prirjeve të polarizimit politik dhe çglobalizimit ekonomik, duke i etiketuar ato si "ngatërrestare". Ai theksoi nevojën urgjente për të promovuar një rend ndërkombëtar më të drejtë dhe për të fuqizuar vendet në zhvillim.

Foto nga CMG

Fu tha që, për të formuar një rend ndërkombëtar më të drejtë dhe të barabartë, duhet të bëhen përpjekje në gjashtë fusha: ruajtja e barazisë sovrane, respekti i ndërsjellë, krijimi i sigurisë së përbashkët, promovimi i zhvillimit të përbashkët, ruajtja e drejtësisë dhe demonstrimi i hapjes e gjithëpërfshirjes.

Ai shprehu shqetësimin për gjendjen aktuale të diskutimeve për rendin ndërkombëtar dhe theksoi se nismat nga disa vende mbi “rendin ndërkombëtar të bazuar te rregullat" në fakt kërkojnë të vendosin një sistem tjetër jashtë kornizës së ligjit ndërkombëtar, duke ligjëruar standardet e dyfishta e besimin se një vend a sistem është më i mirë se të tjerët.

"Ka vetëm një rend në botë, që është rendi ndërkombëtar i bazuar në ligjin ndërkombëtar, dhe ekziston vetëm një grup rregullash, të cilat janë parimet e qëllimet bazë të Kartës së OKB-së në marrëdhëniet ndërkombëtare. Çështjet parimore nuk tolerojnë asnjë paqartësi; ato duhet të jenë të qarta e të dallueshme," theksoi i dërguari kinez.

Në sfondin e krizës së Ukrainës dhe konfliktit të zgjatur në Gazë, Fu nënvizoi shqetësimet globale për sigurinë kolektive. Ai kritikoi NATO-n si një aleancë ushtarake të kohës së Luftës së Ftohtë dhe e akuzoi atë se kërkon të zgjerojë ndikimin e saj, duke përkeqësuar kundërvënien në kampe dhe madje duke ua hedhur fajin të tjerëve lidhur me krizën e Ukrainës. Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB theksoi se veprimet e NATO-s bien ndesh me përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe dialog. (Çang Çuo)