Shpallen fituesit e ankandit hibrid fotovoltaik
2024-07-17 10:42:01

Impiante Fotovoltaike (Foto Ar Eco Energia)

Impiante Fotovoltaike (Foto Ar Eco Energia)

Tetë konsorciume fituan në Shqipëri marrëveshjet 15-vjeçare të blerjes së energjisë elektrike (PPA) për projektet e tyre të energjisë diellore, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi ofertat. Ndryshe nga dy proceset e fundit të suksesshme të tenderit konkurrues për fotovoltaikët, për kantieret e Karavastasë dhe Spitallës, këtë herë investitorët u detyruan të siguronin vetë tokën ku do të ndërtojnë centralet. Ishin 14 aplikantë, nga të cilët nëntë dërguan oferta të vlefshme. Ata tejkaluan kuotën e 300 MW, duke arritur në 355.9 MW.

“Projektet tona ambicioze në sektorin elektroenergjetik na kanë bërë sërish bashkë në këtë ditë të nxehtë korriku, kur temperaturat kanë arritur rekorde, si për të na treguar që Shqipëria ka kapacitete edhe më shumë për të prodhuar nga parqet fotovolatike. Sot është një ditë mjaft e rëndësishme për sektorin elektroenergjetik shqiptar, pasi është kurorëzimi i një pune të gjatë dhe sfiduese për një nga projektet më të rëndësishme, për sa i përket drejtimit dhe rritjes së sigurisë energjetike, e cila në vitin 2022 na u tregua qartësisht që energjia është arma tashmë dhe nuk janë më armët konvencionale ato që dominojnë botën.”, u shpreh ministrja Belinda Balluku

Ajo tha se Shqipëria po merr vlerësime edhe nga ndërkombëtarët për zhvillimin e tenderave.

“Sot këtu të gjithë së bashku duhet të shpallim fituesit e ankandit më të madh fotovoltaik të zhvilluar deri më tash në vendin tonë, një ankand prej 300 megavatorësh, duke hedhur një hap tjetër shumë të rëndësishëm në politikat e shtetit shqiptar për shndërrimin e vendit tonë në një vend eksportues neto të energjisë. Tashmë vendi ynë është vlerësuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë si një histori suksesi në zhvillimin e ankandeve të hapura, për ndërtimin e burimeve të rinovueshme të energjisë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë, duke u marrë shembull reference në këtë drejtim. Në këtë proces kemi aplikuar dhe ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare, duke pasur në çdo hap mbështetjen dhe konsulencën profesionale të BERZH, si dhe asistencën e Ambasadës Zviceriane, përmes SECO”.

Ministrja Balluku (Foto Ministria e Infrastruktures dhe Energjise)

Ministrja Balluku (Foto Ministria e Infrastruktures dhe Energjise)

Pjesmarrja e kompanive në garë ka qenë e lartë.

“Pikërisht transparenca dhe korrektësia që kemi ndjekur gjatë këtyre proceseve, ka bërë që të sigurojmë një pjesëmarrje domethënëse të kompanive të mëdha prestigjioze ndërkombëtare në fushën elektroenergjetike. Është rasti të kujtojmë rrugëtimin që kemi bërë së bashku këto 5 vitet e fundit dhe unë ndihem krenare për të gjithë skuadrën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për parametrat dhe kriteret që janë vendosur, për një standard i cili tashmë është i padiskutueshëm dhe nuk do jetë më në dorë të askujt për ta ndryshuar këtë standard. Është një standard që i takon sistemit elektroenergjetik shqiptar dhe Shqipërisë.”

Ministrja tregon për vështirësitë e fillimit të ankandeve.

“Dua të kujtoj që kur nisëm në 2019 proceset e ankandeve fotovoltaike ka pasur rezerva nga kompanitë ndërkombëtare, ka pasur rezerva edhe nga bashkëpunëtorët tanë, ata që sot na mbështesin fuqimisht siç është BERZH-i apo SECO, duke qenë se ishin hapat e parë dhe perceptimi për Shqipërinë gjithmonë është i gabuar dhe nuk është ai që në vërtetë ndodh. Por me punën që është kryer, sot Shqipëria merret si një rast studimor.”

Qasja e qeverisë është në zgjerimin e prodhimit të energjisë solare dhe eolike.

“ Një vend i cili gjeneron 100% energji të rinovueshme vazhdon me persistim në një rrugë shumë të qartë për të diversifikuar këtë portofol, pra nga portofoli hidrologjik, në atë solar dhe eolik. Kështu që dua të përmend 2 procedura të suksesshme që ne kemi kryer në vitet e mëparshme që kanë qenë dy parqe fotovoltaike të një madhësie të konsiderueshme, siç është ai i Karavastasë 140 megavatorë, ku Republika e Shqipërisë përfiton 50% të prodhimit dhe parku i Spitallës. Parku i Karavastasë ndodhet në operim duke filluar nga muaji shkurt 2024, ndërkohë që parku i Spitallës është në ndërtim e sipër. Një tjetër sukses që kemi shënuar, jo vetëm për shtimin e kapaciteteve, por edhe për rritjen e sigurisë energjetike përmes diversifikimit është edhe ankandi i kapaciteteve të reja eolike, nga i cili përfituam 222.48 megavatorë. Duhet thënë që përveç transparencës dhe kritereve me të vërtetë europiane që kemi vendosur, kemi përfituar dhe çmime rekord përmes këtyre ankandeve, duke kujtuar këtu rastin e Voltalias në Karavasta, ku çmimi i fiksuar është 24.89 euro për megavat, një çmim rekord për gjithë Europën. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka një strategji të qartë që synon që kapacitetet gjeneruese diellore të arrijnë një shtesë prej 1 gigavator nëpërmjet procedurave të pastra, transparente dhe konkurruese.”

Impiante eolike (Foto Portali i energjise)

Impiante eolike (Foto Portali i energjise)

Ankandi hibrid i konkluduar  është më i madhi i zhvilluar në vend ku shteti shqiptar nuk angazhon asnjë aset shtetëror, ndaj dhe quhet hibrid.

“ Nëse në dy ankandet e mëparshme, pra atij të Karavastasë dhe të Spitallës, shteti ka vendosur tokën në dispozicion të prodhimi të energjisë nga këto ankande, në këtë rast kemi një ankand hibrid, ku toka është siguruar nga subjektet e interesuara dhe nga ana tjetër shteti është vetëm blerësi i energjisë të prodhuar nga këto parqe, duke pasur parasysh që është një garë e hapur dhe shpresojmë që të arrijmë një çmim edhe sot konkurrues. Të njëjtin koncept kemi përdorur dhe në ankandin eolik të vitit 2023, i cili u mbyll me sukses korrikun e kaluar, ku zona për zhvillimin e projektit ishte përcaktuar, por secili nga pjesëmarrësit kishte të drejtë që të bënte studimin e tij, ashtu siç e do eoliku 1 vit dhe më pas të sillte një projekt me tokën e gjetur nga subjekti. Duhet të keni parasysh që ky ankand ka pasur një kriter i cili lejon konkurrentët të hyjnë në garë me një park jo më të vogël se 10 megavatorë dhe jo më të madh se 100 megavatorë.”

Në këtë kontekst Ministria ofron për fituesin një kontratë shit-blerje të energjisë elektrike për një periudhë 15 vjeçare me një çmim të pandryshuar. Çmimi që do të përcaktohet do të jetë ai i propozuar nga ofertuesit e përzgjedhur. Në çdo rast çmimi nuk mund të jetë më i lartë se tavani i vendosur prej 59.97 euro për megavatorë. Ministrja Belinda Balluku tha se strategjia e vendit është të lehtësojë instalimin e 1 GW shtesë fotovoltaike “përmes procedurave të pastra, transparente dhe konkurruese”.

Rrjeti i transmetimit shumë shpejt do të shtrihet në zonat me objektet e reja, ndaj ministria do të bëjë një studim në muajt në vijim për kapacitetet e disponueshme të transmetimit dhe shpërndarjes, zbuloi ajo. Në këtë mënyrë do të përcaktojë se ku mund të ndërtohen termocentrale të tjera diellore dhe të erës, shtoi Balluku. Parku fotovoltaik i Karavastasë është vënë zyrtarisht në përdorim në shkurt dhe Spitalla është në ndërtim e sipër, theksoi ministrja.