
Ambasadori gjerman ne Shqiperi (Foto Atsh)
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit zyrtar të softuerit të ri të dokumentimit në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë, shkruan “ATSH”.
Me mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar Ligjor (IRZ), u vendos baza për një hap tjetër të rëndësishëm drejt një drejtësie më efikase dhe transparente.
Që nga viti 2021, IRZ-ja mbështet Gjykatën e Lartë të Shqipërisë në ngritjen e një departamenti për dokumentimin.
Përveç bisedave teknike dhe udhëtimeve studimore, u zhvillua dhe u vu në dispozicion edhe një bazë të dhënash e veçantë për gjyqësorin, përmes së cilës vendimet tani mund të dokumentohen më mirë dhe të bëhen më të aksesueshme.
Ky projekt financohet nga qeveria federale dhe zbatohet nga IRZ-ja.
Sipas ambasadorit Bergner, Gjermania do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e qëndrueshëm të reformave në drejtësi dhe forcimin e mëtejshëm të drejtësisë së pavarur.
“Kjo është në interes të qytetarëve shqiptarë dhe është një nismë e rëndësishme për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Gjermania dhe Shqipëria punojnë krah për krah në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Ne jemi krenarë që si donatori më i madh bilateral po japim një kontribut të rëndësishëm”,- deklaroi ambasadori gjerman Bergner. (Irma)
