FMN: Tatimi mbi të ardhurat për profesionistët e bëri sistemin tatimor më të drejtë
2024-07-17 14:48:42

Fmn (Foto Albanianpost)

Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i drejtuar nga Anke Weber, zhvilloi një vizitë në Shqipëri gjatë datave 9-12 korrik, për të diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike, parashikimin ekonomik dhe politikat prioritare.

Në fund të vizitës, Weber ndau një deklaratë për shtyp, ku theksoi se ekonomia shqiptare u rrit me 3.5 % në vitin 2023 dhe se ajo pritet të ruajë vrullin e saj pozitiv edhe këtë vit, pwrcjell “ATSH”.

Sipas përfaqësueses së FMN-së, rreziqet janë gjerësisht të balancuara.

“Një aktivitet turistik mbi pritshmëritë mund të zhvendosë balancën e rreziqeve për lart. Tensionet e rritura gjeopolitike përfaqësojnë një rrezik të mundshëm për poshtë, ndërkohë që ekonomia mbetet e ndjeshme ndaj rreziqeve të goditjeve të sektorit energjetik të lidhura me motin dhe një ndryshimi të papritur të kahut të kursit të këmbimit”,- shtoi Weber.

Për përfaqësuesen e FMN-së, ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat ndihmoi në bërjen e sistemit tatimor më të drejtë, duke siguruar që profesionistët e lirë të tatohen në një mënyrë të krahasueshme me tatimpaguesit e tjerë të punësuar. Masat për mobilizimin e të ardhurave që zgjerojnë bazën tatimore, përfshirë reformat e tatimit mbi pronën, mbeten të rëndësishme”, shtoi Weber.

Ajo u bëri thirrje autoriteteve për operacionalizimin e plotë të një kuadri të forcuar të menaxhimit të investimeve publike, si dhe përparim të mëtejshëm në reformat e partneritetit publik-privat. (Irma)