Forcat e Armatosura (Foto Euronewsalbania)
Këshilli i Europës miratoi një masë ndihme në kuadër të Mekanizmit Europian të Paqes me vlerë 13 milionë euro, me qëllim rritjen e efektivitetit operacional të Forcave të Armatosura Shqiptare, veçanërisht në drejtim të lëvizshmërisë, manovrimit dhe mbrojtjes, bën të ditur “ATSH”.
Ndihma do të forcojë gjithashtu kapacitetet e Shqipërisë në lidhje me pjesëmarrjen e saj në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, si dhe në çdo koalicion ndërkombëtar.
“Shqipëria është një partner i besueshëm për sigurinë dhe një vend kandidat për në BE. Vendimi është një arritje e rëndësishme në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen. Gjithashtu, ai pasqyron vlerësimin tonë për qëndrimin e Shqipërisë në linjë të plotë me Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, një shprehje shumë e qartë e zgjedhjes strategjike të Shqipërisë për një të ardhme brenda BE-së”, - u shpreh Josep Borrell, eurokomisioner i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.
Forca Tokësore shqiptare do të marrë mjete të lehta të blinduara shumëfunksionale. Këto mjete janë të pajisura për të siguruar lëvizshmëri dhe manovrim të lartë në të gjitha llojet e terrenit dhe kushteve të motit, si dhe për të siguruar mbrojtjen e personelit ndaj armëve të lehta dhe eksplozivëve.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë e cilësoi kë masë si një tjetër arritje historike. (Irma)