Festa e Selitës: Historia e një tradite që ringjallet çdo vit
2024-07-17 09:54:01

Festa e Selites ( foto personale)

Festa e Selites ( foto personale)

Zona e Selitës shquhet për gjelbërimin e pasur, burimet e shumta hidrike dhe biodiversitetin e larmishëm, duke përfshirë edhe Ujin e Selitës që furnizon pjesë të Tiranës. Gjithashtu, zona ofron një natyrë të mrekullueshme dhe pikat turistike tërheqëse si Parku i Qafshtamës dhe luginat e Skarithit. Ferit Hoxha dhe Shoqata Selita falenderojnë banorët e  zones për mbështetjen dhe pjesëmarrjen e tyre në festë. Ata inkurajojnë fshatrat e tjera të Krahinës së Bendës që të promovojnë vlerat e tyre unike dhe të ruajnë trashëgiminë kulturore për brezat e ardhshëm. Ferit Hoxha fton të gjithë të marrin pjesë në eventin e ardhshëm "Softë e Bendës 2024", duke shpresuar në një bashkëpunim të vazhdueshëm për zhvillimin dhe promovimin e kulturës së tyre.

CMG: Si ka lindur kjo festë?

Ferit Hoxha: “Festa e Selitës”,ose  ndryshe “Festa e korrjes së Barit” është konceptuar si e tillë nga selitasit, sepse në periudhën e prerjes së barit, i gjithë fshati, ngjitej në bjeshkë për të korrur livadhet e veta.  Përveç kësaj, kjo ishte edhe një mundësi që banorët të takoheshin me njëri- tjetrin, bisedonin e ndërronin një cigare duhan (për ata që e pinin), si dhe çmalleshin. Kjo ishte një karekteristikë e shumë fshatrave të Bendës, por për selitasit kishte shumë vlerë, për shkak të distancës së madhe që kanë lagjet e Selitës me njëra-tjetrën, ku dhe vetë Selita si fshat, zë një sipërfaqe të madhe. Për arsye ekonomike, sociale e arsimimi, si në të gjitha fshatrat e tjerë edhe Selitasit migruan, duke u vendosur kryesisht në qytetin e Tiranës, e një pjesë në Bashkinë Kamëz etj. Në këto rrethana, biri i këtij fshati, intelektuali Mehdi Elmaz Hoxha (i ndjerë), njëherësh edhe Kryetar i “Shoqatës Selita”  hodhi idenë për ta kthyer këtë ditë të shënuar, në një ditë feste me qëllimin e mirë që të krijonte mundësinë e takimit të selitasve një herë në vit, pikërisht në Çajre të Selitës, propozim i cili u prit me shumë entuziazëm nga selitasit.

Festa e Selites ( foto personale)

Festa e Selites ( foto personale)

CMG: Prej sa vitesh organizohet kjo festë?

Ferit Hoxha:Për 15 vite rresht kjo festë u organizua nga “Shoqata Selita” dhe u sponsorizua nga Kryetari saj Mehdi E. Hoxha. Gjatë këtyre viteve  në aktivitetet e organizuara është bërë e mundur evidentimi dhe promovimi i vlerave më të mira të Selitës dhe të Krahinës së Bendës, siç janë vlerat historike, folklorike, dokeve dhe zakoneve të trashëguara nga të parët tanë. Pas një shkëputje prej 5 vitesh kjo festë rifilloi përsëri në vitin2021

CMG: Çfar ka të veçantë kjo zonë?

Ferit Hoxha: Fshati Selitë e Malit ku organizohet ky event është pjesë e Krahinës së Bendës, që përfshin pjesërisht fashtrat e Malsisë së Tiranës dhe të Krujës. Ajo kufizohet me Qafmollën e deri në kufirin skajor të Qafshtamës,  me Kurbinin. Të veçantat e kësaj zone janë shumë: Së pari ka njerëz të mrekullushëm, punëtorë, mikpritës dhe paqedashës. Së dyti ka klimën e pastër, falë gjelbërimit, burimëve të shumta të ujit ku mund të veçojmë Ujin e Selitës që furnizon një pjesë të Tiranës, por dhe tregtohet në të gjithë vendin, madje dhe përtej kufive. Ka dhe shumë burime të tjera deri ke “Kroi i Nënës Mbretëreshë” në Qafshtamë. Së treti ka një florë  dhe faunë të pasur,  shumëllojshmëri bimësh dhe kafshësh. Së katërti, gjatë shtrirjes së kësaj zone në luginën ndërmjet dy vargmaleve (Vargmali i Skënderbeut dhe Vargmalit Kruj-Dajt ku ndodhen disa shpella dhe kanjone) etj Së pesti ka disa pika turistike si Parku i Qafshtamës, Ujëmbledhësi i Bovillës, Lugina e Skarithit (Mal Vilëz), Qafturra (Murrize), Mali me gropa, Çajret e Selitës etj.

CMG: Ju jeni rritur në këtë zonë?

Ferit Hoxha: Po. Une jam nga fshati Bulçesh, që është pjesë e Krahinës së Bendës. Aty jam lindur, jam shkolluar, kam punuar disa vite pasi mbarova Universitetin. Qysh nga viti 1998 jetoj në Bashkinë Kamëz dhe aktualisht punoj në arsim në ZVAT (Tiranë)

CMG: Meqenëse nuk banoni në zonë, si i ruani ju kontaktet me vendlindjen tuaj?

Ferit Hoxha: Unë kam 9 vjet që drejtoi Shoqatën Atdhetare Kulturore Benda dhe Ansamblin e kësaj treve. (Ansambli artistik “Benda”), Prej një viti jam botuesi i gazetës “Krahina e Bendës”.

Festa e Selites ( foto personale)

Festa e Selites ( foto personale)

CMG: Si u mblodhët, a është i vështirë organizimi?

Ferit Hoxha: Realizimi i eventeve të tilla nuk është i lehtë, pasi kërkon një impenjim të madh të aktorëve të ndryshëm, si dhe një mbështetje të madhe  financiare. Por falë angazhimit dhe kontributit të dhënë  nga Anëtarët e Kryesisë së Shoqatës “Selita” e veçanërisht të kryetarit të sapo zgjedhur Alfred Sita, si dhe të biznesmenëve të këtij fashati çdo gjë shkoi prefekt. Madje mund të theksoj se ky event i kaloi përmasat e një feste fshati nga mënyra e organizimit dhe të pjesëmarrjes në të .

CMG: Cili ishte roli dhe kontributi juaj në këtë eveniment?

Ferit Hoxha: Së pari, dua të falenderoi kryesinë e Shoqatës “Selita” që më bëri pjesë e stafit për organizimine këtj eventi,  duke më besuar realizimin e programit artistik. Kjo në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Shoqatës “Selita” dhe Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda dhe të përvojës time ndër vite në organizime eventesh. Falenderoi këngëtarët dhe valltarët e Ansamblit Artistik Benda, si dhe moderatoren e tij Lorena Bumja për performancën e tyre të shkëlqyer, duke shpalosur vlerat më të mira të krahinës së Bendës,  pa harruar kostumografen e Krahinës së Bendës Antoneta Tafa për veshjet Ansamblit dhe paraqitjen e kostumeve të zonës në formën e një panairi.

Festa e Selites ( foto personale)

Festa e Selites ( foto personale)

CMG: Cilat ishin personalitetet që morën pjesë?

Ferit Hoxha: Nga Shoqata Atdhetare Kulturore Benda u nderuan me Certifikatë nderi 
Shoqata “Selita”  “Për kontributin e dhënë në promovimin e vlerave artistiko – kulturore dhe historike të Selitës, nëpërmjet organizimit të "Festës së Selitës".
Iu dha certifikatë Azem Nelës  “Për kontributin e dhënë, si nënkryetar i  "Shoqatës Selita" ndër vite, për organizimin e "Festës së Selitës", duke lartësuar vlerat e vendlindjes dhe përcjelljen e tyre tek brezat e rinj". Gjithashtu u nderua Lorena Bumja "Për moderimin me nivel të lartë artistik dhe kontributin e dhënë në organizimin e Festës së Selitës më 30 Qershor 2024, si një festë me vlera të çmuara për Selitën dhe mbarë Krahinën e Bendës".

Ndërkohë nga Shoqata “Tirona” iu akordua titulli “Fisnikëria e Tiranës” birit të kësaj krahine Reshat Koçi, “Për kontribut të veçantë në mjekësinë shqiptare, humanizëm dhe përkushtim ndaj njerëzve dhe shëndetit, vazhdues së traditës më të mirë të mjekëve të shquar të Tiranas, bartës dhe përçues i vlerave të qytetarisë". Titulli i nderit iu dha në prezencë të bashkëfshatarëve të tij.

Ndërsa nga Bashkia Tiranë  u vlersuan me mirënjohje  Mehdi Elmaz Hoxha dhe Ismet Tola (pas vdekjes), si dhe z. Azem Nela, Reshat koçi dhe Alfred Sida për kontributin e dhënë në promovimin e vlerave më të mira të Selitës dhe mbarë krahinës së Bendës.

Certifikata Mirënjohjeje u shpërndanë nga deputeti i zonës Xhemal Qefalia, që gjej rastin ta falenderoi për gjithë mbështjen që i ka dhënë Shoqatës “Benda” ndër vite dhe për prezencën e tij në këtë event.

CMG: A keni një mesazh për banorët e zonës?

Ferit Hoxha: Së pari dua të  falenderoi të gjithë selitasit për mikpritjen e tyre, për angazhimin, mesazhet dhe komentet e shumta që kanë përcjellë gjatë këtyre ditëve . Së dyti dua t’ju drejtohem të gjithë banorëve të  Bendës që në shembullin e selitasve të vazhdojnë edhe fshatrat e tjerë në promovimin e vlerave të Krahinës së Bendës dhe përcjelljen e tyre tek brezi ri. Së treti, ju falenderoj ju që më dhatë mundësinë për këtë prezantim. Ju ftoj publikisht që të merrni pjesë në “Softën  e Bendës 2024”  që do të realizohet në fund të shtatorit në qendër të Njësisë Zall-Bastar nga Shoqata Atdhetare Kulturore Benda. Ndër të tjerë do të jenë të ftuar ansamble artistike dhe personalitete të larta nga të gjitha trevat shqiptare.

Intervistoi: Megi Latifi