Kina paraqet politikat e saj tregtare përpara rishikimit dyvjeçar të OBT-së
2024-07-17 16:38:36

Foto nga VCG

Në Gjenevë të Zvicrës u mbajt të martën një veprimtari për të paraqitur politikat ekonomike dhe tregtare të Kinës përpara rishikimit të nëntë të politikës tregtare të Kinës prej Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), i cili zhvillohet nga 17 deri më 19 korrik.

Veprimtaria e së martës synon të ndihmojë vendet anëtare të OBT-së të kuptojnë politikat ekonomike e tregtare të Kinës nga perspektiva e qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.

Ekspertë dhe studiues nga institucione të njohura kineze, si Akademia e Shkencave Makroekonomike e Kinës, Universiteti i Biznesit dhe Ekonomisë Ndërkombëtare e Universiteti i Wuhan-it, së bashku me përfaqësues nga ndërmarrjet e huaja në Kinë, dhanë opinionet e tyre mbi politikat, masat dhe praktikat që ka zbatuar Kina për të arritur zhvillimin me cilësi të lartë dhe hapjen me nivel të lartë.

Diskutimet përfshinë paraqitjen e kohëve të fundit të ekonomisë kineze, perspektivat e së ardhmes dhe nismat e reja për zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore, krijimin e një tregu të unifikuar kombëtar dhe promovimin e rritjes së sektorit privat. Nëpërmjet përmendjes së rasteve të veçanta u shtjelluan përpjekjet e Kinës në lidhje me zgjerimin e hapjes, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe lehtësimin e funksionimit të sipërmarrjeve të huaja në Kinë.

Li Chenggang, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OBT, nënvizoi rëndësinë e kësaj veprimtarie të zhvilluar përpara rishikimit, duke e cilësuar atë si një hap proaktiv në zbatimin e reformave të OBT-së, i cili synon forcimin e mekanizmit të rishikimit të politikave tregtare. Sipas tij, ky mekanizëm jo vetëm rrit transparencën e politikave tregtare të vendeve anëtare, por gjithashtu shton mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë, gjë që është me rëndësi vendimtare për funksionimin efektiv të OBT-së.

Në fjalën e tij, Alexander Keck, kreu i Analizës Ekonomike Globale në Njësinë e Kërkimeve Ekonomike dhe Statistikave të OBT-së, e vlerësoi qasjen proaktive e të hapur të Kinës në përgatitjen për rishikimin e politikës tregtare dhe rolin e kësaj veprimtarie përpara shqyrtimit për lehtësimin e mirëkuptimit dhe thellimin e besimit.

Ai e vlerësoi Kinën si vendin e parë anëtar që praktikoi në mënyrë aktive rezultatet e reformave të mekanizmit të rishikimit të politikës tregtare të OBT-së, duke nënvizuar rolin kryesor të tij në promovimin e pjesëmarrjes së anëtarëve dhe dialogut ndërveprues.

Sipas rregullave të OBT-së, anëtarët e renditur ndër katër vendet kryesore në botë për sa i përket vëllimit të tregtisë, duhet t'i nënshtrohen një rishikimi çdo dy vjet për të siguruar qartësi në drejtimin e politikave dhe zbatimin e angazhimeve. (Çang Çuo)