Aderimi në organizatën e vreshtarisë (Foto ATSh)
Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për aderimin e Shqipërisë në marrëveshjen për themelimin e Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV)”, shkruan “ATSH”.
Projektligji u prezantua nga zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici, dhe u relatua nga deputetja Antoneta Dhima.
Civici sqaroi thelbin dhe rëndësinë e marrëveshjes, përfitimet e pritshme të vendit nga aderimi në Organizatën Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës.
Ai theksoi se projektligji synon të ndikojë në përmirësimin dhe zhvillimin e politikave publike dhe praktikave për prodhimin e rrushit, metodat dhe analizat në funksion të rritjes së sigurisë ushqimore, etj.
Deputetja Dhima vlerësoi rëndësinë e projektligjit në drejtim të nxitjes dhe mbështetjes së prodhuesve shqiptarë të verës, mbrojtjen e konsumatorëve, minimizimin e barrierave tregtare, etj. (Irma)