Kryeministri Rama: Përmirësimi në infrastrukturë shkurton kohën mes qyteteve
2024-07-17 14:46:18

Aks rrugor (Foto ATSh)

Aks rrugor (Foto ATSh)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se falë investimeve në infrastrukturën rrugore koha e lidhjes mes Tiranës dhe Shkodrës brenda kësaj dekade do të jetë rreth 40-45 minuta, shkruan “ATSH”.

Sipas kryeministrit Rama, investimet në infrastrukturën rrugore do të përmirësojnë ndjeshëm ndërlidhjen, duke konsideruar domosdoshmërinë e një lidhjeje shumë të shpejtë dhe shumë të sigurt të Shkodrës qoftë me veriun, por edhe me Tiranën dhe jugun.

“Kryesore mbetet sfida për ndërtimin deri në Murriqan të Korridorit Blu, i cili tanimë e ka një segment të përfunduar dhe të prekshëm për të gjithë aksin Thumanë-Kashar, por që do të vazhdojë me segmentet e tjera që do të lidhin Balldrenin me Milotin, Milotin me Muriqanin dhe Balldrenin me Thumanën”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, për të gjitha këto projekte janë të qarta edhe hapat që do ndiqen.

“Ndërkohë një pjesë të rëndësishme të punës për projektet e kemi bërë dhe për pak ditë do të lidhen edhe kontratat e reja për segmentet më poshtë, nga Thumana në Kashar tanimë e kemi, nga Kashari në Rrogozhinë nga Rrogozhina në Fier. Koha e lidhjes së Shkodrës me jugun poshtë do të jetë sa është sot koha e lidhjes me Tiranën. Do të mund të shkohet deri në Vlorë për 2 orë dhe kështu me radhë me gjithë projektet e tjera”,- deklaroi kryeministri Rama. (Irma)