I dërguari kinez nxit përpjekjet për rigjallërimin e partneriteteve të zhvillimit global
2024-07-17 15:58:13

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, Fu Cong, ka nxitur përpjekjet për të rigjallëruar partneritetet e zhvillimit global. 

"Së pari, ne duhet të qëndrojmë të orientuar drejt zhvillimit dhe të rigjallërojmë partneritetet e zhvillimit global," deklaroi Fu të hënën, në emër të Grupit të Miqve të Nismës së Zhvillimit Global, gjatë debatit të përgjithshëm të Forumit Politik të Nivelit të Lartë mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm. 

Fu theksoi se "zhvillimi duhet të vendoset në qendër të bashkëpunimit ndërkombëtar", duke u bërë thirrje vendeve të zhvilluara "të japin mbështetje financiare, teknologjike dhe mbi forcimin e kapaciteteve për vendet në zhvillim dhe të përmbushin efektivisht angazhimet e tyre zyrtare të ndihmës për zhvillimin."

Ai theksoi nevojën për "forcimin e bashkëpunimit global në çrrënjosjen e varfërisë, për të siguruar që asnjë vend dhe asnjë individ të mos mbetet prapa." 

Fu bëri thirrje për rritjen e investimeve për zhdukjen e varfërisë, veçanërisht në zonat rurale, duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare "të forcojë shkëmbimet politike dhe bashkëpunimin praktik në çrrënjosjen e varfërisë". 

Përfaqësuesi kinez vuri në dukje që, për të zhdukur problemin e urisë, duhet mbrojtur siguria ushqimore globale duke forcuar bashkëpunimin në prodhimin, magazinimin, transportin, ruajtjen dhe pakësimin e shpërdorimit të ushqimeve.

Në lidhje me ndryshimin e klimës, Fu përsëriti parimin e "përgjegjësisë së përbashkët, por të ndryshme" dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës dhe Marrëveshjes së Parisit.

Ai i nxiti vendet e zhvilluara të udhëheqin në pakësimin e ndjeshëm të lëshimeve, të arrijnë asnjanësimin e karbonit përpara afatit dhe të përmbushin premtimet e tyre për financimin klimatik.