Foto nga ATSH
Shtatë dekada pas vënies së parë në skenë, opereta “Agimi” u rikthye në teatrin “Andon Zako Çajupi”, si pjesë e “MIK Fest”, event i mbështetur nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, njofton “ATSH”.
Me regji të sopranos së njohur shqiptare Inva Mula, kjo vepër, e luajtur për herë të parë në vitin 1954, përçoi edhe njëherë dashurinë për jetën dhe për vendin.
“Jemi krenarë që këtë vit në “MIK Fest” mbështesim vlerat që shkojnë krah për krah me artin, kulturën dhe traditën e bukur shqiptare”,- bëhet e ditur në një postim në rrjetet zyrtare sociale të Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Për organizatoren Inva Mula, ky edicion ishte më i bukuri dhe më i veçanti.
Sipas saj, opereta “Agimi” është një vepër e cila e meritonte t’i jepej frymë e dritë, pasi ajo përmban motive të pastra shqiptare dhe është guri i parë i themelit të artit skenik vokal shqiptar. (Fatosi)