Foto nga Gazeta shqiptare
Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit, Altin Dumani, deklaroi në Kuvendin e Shqipërisë se gjatë vitit 2023 SPAK-u ka sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë në total rreth 41 milionë euro, njofton “ATSH”.
Ndërsa prezantoi raportin e veprimtarisë vjetore të SPAK-ut, për vitin 2023, Dumani tha se SPAK ka hetuar gjithsej 863 materiale, nga të cilat janë hetuar 750 procedime penale.
Sipas kreut të SPAK-ut, nga 575 persona nën hetim, 457 prej tyre janë hetuar me masë sigurimi, ndërsa 118 persona nën hetim janë hetuar në gjendje të lirë.
Për Dumanin, SPAK-u po heton krimin e organizuar, sot ndër më të fuqishmit në botë dhe në një nivel të sofistikuar subjektesh.
Aktualisht, numri total i të paraburgosurve nëpër institucionet e vuajtjes së dënimit është 2817, ku vetëm 237 të paraburgosur janë për llogari të SPAK, tha Dumani. (Fatosi)