Pesha e sigurisë kibernetike për ekonominë e Shqipërisë
2024-07-16 10:00:58

Siguria kibernetike (Foto Revista Monitor)

Siguria kibernetike (Foto Revista Monitor)

Krijimi dhe ofrimi i shërbimeve të besueshme dhe të sigurta në mjedisin digjital brenda vendit dhe në atë ndërkufitar, është një nga prioritetet e qeverisë  shqiptare. Siguria kibernetike e shërbimeve publike online, të cilat në Shqipëri ofrohen 95 përqind digjitale, ndikon fort në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, përmes sigurisë së informacionit jetik që shërbimet digjitale ofrojnë për sipërmarrësit dhe qytetarët.

Nga ana tjetër, siguria kibernetike e mjedisit digjital ndërkufitar është pjesë e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo përmbahet si paketë e veçantë në Plan. Për të, të gjitha vendet Ballkanit Perëndimor po punojnë në mënyrë individuale, por edhe të përbashkët.

Integrimi dixhital me të gjithë komponentët e tij, ku nuk mungon bashkëpunimi në fushën e sigurisë kibernetike, është një nga shtyllat kryesore të Planit te Rritjes se Bashkimit Evropian për rajonin, të miratuar që në nëntor të vitit 2020 në Samitin e Sofies dhe padyshim që mbetet një nga drejtimet kryesore për planin e ri të Unionit, për vitet 2025-2028 për të gjashtë vendet tona.

Shqipëria është një nga shtetet në rajon, që ka bërë një progres të dukshëm në zhvillimin e infrastrukturës dixhitale dhe në ofrimin e shërbimeve publike elektronike.

Në rrugën e këtij zhvillimi, strukturave të qeverisë shqiptare iu desh të përballonin një sulm të fortë kibernetik në verën e vitit 2022, sulm që u kthye në një mësim të vyer për të gjithë qeverinë shqiptare.

Si përgjigje ndaj këtij sulmi kibernetik, përveç ngritjes së një trupe të rëndësishme ekspertësh, Shqipëria ka bërë një sërë hapash, duke u bazuar mbi masa konkrete.

Vendi ynë është ndër vendet e para që ka transpozuar direktivën e NIS2 të Bashkimit Evropian, duke rritur kërkesat për sigurinë e infrastrukturave kritike të informacionit dhe të strukturave të rëndësishme të informacionit.

Fusha e veprimit e ligjit për sigurinë kibernetike është zgjeruar tek ne, duke përfshirë të gjithë gamën e infrastrukturave dixhitale dhe të ofruesve të tyre, sipas standardeve më të fundit të Bashkimit Europian.

Po ashtu, Shqipëria ka fuqizuar Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike i cili ka përthithur ekspertët më të mirë të sigurisë kibernetike në vend, duke ngritur Qendrën Kombëtare Operacionale të Sigurisë Kibernetike. Kjo qendër monitoron 24 orë në 7 ditë të javës një sërë infrastrukturash kritike qeveritare, sipas listës përkatëse të miratuar.

Ministrja Belinda Balluku në Konferencën për Sigurinë Kibernetike (Foto Abc News)

Ministrja Belinda Balluku në Konferencën për Sigurinë Kibernetike (Foto Abc News)

Gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Sigurinë Kibernetike, zhvilluar më 9 korrik në Tiranë, ZvKryeministrja dhe Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku theksoi se “Ndërkohë që zhvillojmë dixhitalizimin në fushën ekonomike, në infrastrukturat kritike, siç thamë në marrëdhëniet njerëzore, duhet patjetër të zhvillohet edhe antidota për këtë situatë virtuale, që është cyber security.

Nëse ka një dëshmitar i cili mund t’ju flasë për këtë çështje, është Shqipëria, sepse e kemi provuar nën lëkurë se çdo të thotë të zhvillohesh nga ana dixhitale dhe të ofrosh më shumë se 99% të shërbimeve online, pra si administratë publike, por sigurisht edhe fusha të tjera të sektorit privat, siç është ai bankar etj., dhe të gjendesh para faktit të një sulmi të jashtëzakonshëm të sponsorizuar fuqimisht nga qeveri të vendeve të tjera.

Nëse do të dëgjoni ndonjë vend tjetër tek gjendeni në evente të ngjashme, askush nuk do të kishte aftësinë më të mirë për t’ju treguar sesi funksionon goditja kibernetike dhe sesi mund të gjunjëzojë një vend të tërë.

Kështu që Shqipëria, në ndërkohë, që prej vitit 2013, duke kulmuar në vitin 2019, ka investuar fuqimisht në ngritjen e një shoqërie dixhitale, u gjend në korrik të vitit 2022 në një sulm të jashtëzakonshëm, të konsideruar nga të gjithë partnerët tanë që na mbështetën në ato momente, me një impakt shumë të madh në bllokimin e një sërë shërbimesh shumë të rëndësishme.

Ai ka qenë një moment kyç për vendin tonë, për një vendimmarrje shumë të rëndësishme, që për të thënë të drejtën rezultoi që të ishte i duhuri.

Vendosëm menjëherë, mbasi i dhamë zgjidhjet e para, sigurisht duke u mbështetur tek partnerët tanë të Bashkimit Europian, partnerët tanë të Shteteve të Bashkuara apo edhe partnerë të tjerë, siç janë Emiratet e Bashkuara apo Izraeli dhe sapo dolëm nga emergjenca e parë, vendosëm që të nisnim një rrugëtim të mirëstudiuar për të forcuar sigurinë kibernetike, pasi dixhitalizimi nuk mund të ecë përpara pa pasur dhe antidotën e tij.

Në këto kushte forcuam atë që sot ne e quajmë Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike, ish AKCESK-u, pasi është bërë shumë i njohur dhe mua më duhet ta përmend me emrin që ka pasur më parë.

E forcuam në pikën për t’u bërë atraktiv për djemtë dhe vajzat e reja që në Shqipëri nuk mungojnë dhe që kanë trurin brilant të tyre, por që administrata shtetërore nuk ka qenë kurrë tërheqëse për ta, për shkak ndoshta edhe të pagës jo konkurruese në treg.

Projektligji për sigurinë kibernetike (Foto Revista Monitor)

Projektligji për sigurinë kibernetike (Foto Revista Monitor)

Kështu që rishikuam menjëherë mundësinë për të hapur dyert për këto vajza dhe për këto djem dhe për t’i akomoduar ata me shpërblime më të mira dhe për t’i bërë ata që të kuptonin që ishte një mision që i ofronin Shqipërisë, që i ofronin kombit, mbrojtja kibernetike’.

Tek ne sot është investuar bindshëm në rritjen e sigurisë së infrastrukturave dixhitale publike, për të garantuar shërbime të sigurta. Është investuar po ashtu në rritjen e ndërgjegjësimit dhe eshtë shtuar bashkëpunimi me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë. Vendi është angazhuar edhe në Iniciativën për rrjete të pastra digjitale.

Qeveria shqiptare ka miratuar së fundmi ligjin e ri për komunikimet elektronike, ku parashikohen dispozita për forcimin e sigurisë së rrjeteve të komunikimeve elektronike, ku në veçanti parashikohen masa për garantimin e sigurisë së ofruesve të furnizimeve.

Shqipëria mbetet e angazhuar, për të avancuar në axhendën e saj dixhitale dhe në procesin e integrimit europian për ndërtimin e rrjeteve të sigurta dhe të qëndrueshme, që të sigurojë kështu ofrimin e shërbimeve të ndërveprueshme dhe të besueshme, të cilat ofrojnë besimin dhe përfitime për shtetasit shqiptarë, në respekt të lirive dhe të drejtave themelore në mjedisin dixhital.

E ardhmja duket premtuese për sigurinë kibernetike në rritje të strukturave qeveritare në Shqipëri, të lidhura pazgjidhmërisht me strukturat ekonomike të vendit, përmes informacionit jetësor që përcjellin.

 

Fatos Çoçoli