Aplikimi për përfitimin e pagesës së papunësisë, nëpërmjet e-Albania
2024-07-15 11:18:40

Aplikimi për papunësinë (Foto ATSH)

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se aplikimi për përfitimin e pagesës së papunësisë, tashmë mundësohet nëpërmjet platformës e-Albania, shkruan ATSH. Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi se aplikimi kryhet pa asnjë dokumentacion shoqërues, ndërsa koha e nevojshme e marrjes së shërbimit është 7 ditë.

Zyra e punës ku qytetari ka gjendjen civile informon nëpërmjet llogarisë në e-Albania dhe e-mail mbi statusin e kërkesës. Shërbimi elektronik: kërkesë për përfitimin e pagesës së të ardhurës nga papunësia, i dedikohet të gjithë personave të cilët kanë humbur vendin e punës për arsye të shkurtimit të vendit të punës, ristrukturimit të kompanisë apo arsye të tjera që nuk varen nga ta.

Në tremujorin e katërt 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, ishte 10.7 %. (Fatosi)