Gjirokastra – qyteti i çuditshëm evropian që i përket një ëndrre
2024-07-15 10:03:51

Shkrimtari ismail kadare - foto a2news

Shkrimtari ismail kadare - foto a2news

“The Sydney Morning Herald” së fundmi i ka kushtuar një artikull Gjirokastrës, duke marrë shrysë nga jeta dhe vepra e shkrimtarit, duke e cilësuar atë si "qyteti i çuditshëm evropian që i përket një ëndrre".

Që në krye të artikullit përmendet shkrimtari i madh Ismail Kadare, i cili vdiq në moshën 88-vjeçare, duke nënvizuar faktin se ai shkroi 80 romane, drama, skenarë, poezi, ese dhe përmbledhje tregimesh dhe veprat e tij janë botuar në 45 gjuhë. Në vitin 2005 ai mori çmimin inaugurues “Man Booker International” dhe u nominua për Çmimin Nobel në Letërsi 15 herë.

Ismail Kadare, vijon artikulli, është krahasuar me Kafkën dhe Orëellin, me Gabriel Garcia Markezin, Milan Kunderën dhe Balzakun. Ai lindi në qytetin mesjetar të Gjirokastrës, në jug të vendit, ku turistët mund të vizitojnë shtëpinë e tij. Kadareja i la trashëgim kombit shtëpinë e tij të vjetër dhe tani është një muze kushtuar njeriut, jetës dhe veprave të tij.

Pamje nga Gjirokastra - foto AKT

Pamje nga Gjirokastra - foto AKT

Gjirokastra fillimisht hyri në “ndërgjegjen historike” në vitin 1336 si një zotërim bizantin dhe në 1418 u përfshi në Perandorinë Osmane, nga e cila fitoi pavarësinë në vitin 1912. Më pas ndodhi Lufta e Dytë Botërore dhe pushtimi nga italianët, grekët, italianët përsëri dhe më pas gjermanët.

Gjirokastra,  një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në të vërtetë, është një qytet prej guri, një vizatim i Escher-it ku rrugët duket se nisen në kënde të pjerrëta për t’u përplasur në rrugicat që, nga ana tjetër, zbulojnë katrorë të vegjël që shikojnë nga poshtë çatitë prej guri të shtëpive.

“Kronikë në gur” i Kadaresë, një ndër romanet e hershme të autorit që turistët e huaj e gjejnë edhe në gjuhë të huaja, është një roman që përmban rrëfimin e tij imagjinar të rritjes në Gjirokastër gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, shtëpia e Kadaresë nuk është i vetmi atraksion. Pavarësisht tërheqjes letrare dhe historike të Kadaresë, vetë qyteti është një atraksion unik. Sigurisht, në kohën e Kadaresë kishte më pak hotele, restorante, kafene, bare, shëtitje në këmbë dhe dyqane suveniresh.

Shtepia e Kadarese - foto Argjiroja.net

Shtepia e Kadarese - foto Argjiroja.net

Në vitin 1970 në Gjirokastër u ndërtua një bunker sekret bërthamor, i cili së bashku me 173 000 bunkerët e armëve të vogla që ende mbushin vendin, është dëshmi e paranojës dhe e frikës mbizotëruese të kohës. Sot, Muzeu i Tunelit të Luftës së Ftohtë është i hapur për publikun. Nëpërmjet një turneu ju do të zbuloni kompleksin 800 metra të bunkerit me 59 dhoma.

Më pas, vizitoni Pazarin e Gjirokastrës ku bashkohen pesë rrugë – dhe ndaloni në një kafene për të shijuar një kafe dhe një burek, byrekun tradicional shqiptar të bërë me petë të mbushura me djathë dhe spinaq.

Rrugës për në kala, ndaloni pranë Xhamisë së Memi Beut. E ndërtuar gjatë periudhës osmane, është e vetmja xhami (nga 15) që i mbijetoi shkatërrimeve dhe vetëm sepse u shpall Monument Kulture dhe përdorej si sallë stërvitore për akrobatët e cirkut që varnin trapezet e tyre në tavanet me kube. Kalaja e Gjirokastrës, kalaja që shkëlqen mbi qytet dhe dominon luginën e lumit, duket sikur osmanët sapo janë larguar.

Shtepi karakteristike ne Gjorokaster - foto AKT

Shtepi karakteristike ne Gjorokaster - foto AKT

Është ruajtur në mënyrë të përsosur dhe është mbushur në mënyrë anakronike por me shije – me artileri të kapura nga luftërat e ndryshme që kanë rënë dhe kanë ndodhur këtu. Ekziston edhe një aeroplan i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – i vendosur në një nga galeritë e sipërme në ambient të hapur, si një trofe i Luftës së Ftohtë të viteve 1950.

Ka pasur rinovime, natyrisht, dhe monarku i fundit i Shqipërisë, Mbreti Zog, e zgjeroi burgun në vitin 1932. Brenda ka një muze të Gjirokastrës, me pamje tronditëse nga betejat, dhe është gjithashtu vendi i Festivalit Folklorik Kombëtar, i cili zhvillohet çdo pesë vjet.

Kadare shkroi për “qytetin e tij gri të lashtë”, duke cituar se shumë gjëra në të ishin thjesht të çuditshme dhe të tjerat dukej se i përkisnin një ëndrre. Në të vërtetë, Gjirokastra ka ende shumë për të treguar nga përralla rreth saj, pavarësisht homogjenitetit dhe presioneve të shurdhër të shekullit të XXI.

Turiste ne gjirokaster - foto ATSH

Turiste ne gjirokaster - foto ATSH

Qyteti më i afërt i madh me Gjirokastrën është Saranda, vijon artikulli, një qytet turistik portual dhe bregdetar në Rivierën shqiptare, siç përshkruhet gjithnjë e më shumë ky rajon.

“Në kulmin e sezonit Gjirokastra dhe qyteti bregdetar, Saranda popullohen nga turistë italianë, britanikë – të cilët tërhiqen nga stili i jetesës relativisht i lirë, ujërat e kristalta dhe moti i nxehtë mesdhetar”. Vizitorët mund të ecin përgjatë shëtitores bregdetare të Sarandës, të zbulojnë Butrintin dhe Syrin e Kaltër – një burim me ujëra të pastër blu deri në një thellësi prej më shumë se 50 metrash – gjatë një turneu njëditor.

Në fund të fundit, kush mund t’i rezistonte një kështjelle mesjetare të vendosur mbi një shkëmb marramendës në mes të një fushe gjigante, shkëmbore? Kjo është një arsye e mjaftueshme për të vizituar Butrintin.

Fluturimi

Artikulli më tej tregon detaje të fluturimit për në Shqipëri.  Linja të ndryshme ajrore fluturojnë nga Australia në Tiranë, por nuk ka fluturime direkte. Por artikulli u rekomandon lexuesve të vet që mund të  fluturojnë për në Korfuz nëpërmjet Athinës dhe pastaj të marrin tragetin për në Sarandë, e cila është më afër Gjirokastrës. Trageti nga Korfuzi në Sarandë zgjat rreth 30 minuta dhe kushton nga 20 euro, në varësi të sezonit.

Gjirokastra ne mbremje - foto ATSH

Gjirokastra ne mbremje - foto ATSHUdhëtimi

Nuk ka trena në Shqipëri, por autobusë me ajër të kondicionuar që qarkullojnë rregullisht në linjën Tiranë-Sarandë, duke u nisur nga Terminali Rajonal i Autobusëve jo shumë larg aeroportit.  Udhëtimi zgjat rreth pesë orë dhe kushton rreth 12 euro. Marrja me qira e makinave është një tjetër mundësi. Rrugët kryesore janë të gjitha të mirëmbajtura në mënyrë të shkëlqyer dhe Saranda dhe jugu janë të sinjalizuara mirë.

Ushqimi

Kuzhina shqiptare i ngjan shumë pjesës tjetër të Mesdheut, me shumë vaj ulliri, fruta, perime, mish dhe peshk. Një nga ushqimet e lira është byreku, i mbushur me djathë, spinaq, mish ose qepë. Pica është mjaft e përhapur.

Përgatiti: N. Kraja