Met Xhaferri është një këngëtar i ri shqiptar, i cili jeton prej 20 vitesh në Mantova të Italisë. Pasioni për poezinë dhe këngën kanë bërë që Meti mos të shkëputet nga kjo dhunti e tij edhe në një shtet të huaj. Ai ka shkruar disa këngë në gjuhën shqipe dhe italiane, por akoma nuk i ka të publikuara për publikun e gjerë. Ai ftohet zakonisht në evente të ndryshme për të kënduar në Itali, por dëshira e tij më e madhe është të njihet si këngëtar në Shqipëri. Në një intervistë për Radio Ejani Met Xhaferri tregon për integrimin në Itali, pasionin për këngën dhe planet e tij në të ardhmen.
Met Xhaferri (Foto personale)
CMG: Prej disa vitesh jeton në Itali. Si u integrove në fillim me jetën atje?
Met Xhaferri: Unë kam qenë në moshë të vogël kur kam ardhur në Ital, dhe integrimi ka qenë pak i vështirë në vitin 2004. Pastaj me kalimin e kohës gjërat janë normalizuar dhe çdo gjë tani është bërë perfekte.
CMG: Me çfarë je marrë gjatë këtyre viteve në Itali?
Met Xhaferri: Kam 20 vjet që jetoj në Itali, ku kam punuar që në moshën 17 vjeçare si kamarier dhe punë të tjera të ndryshme.
CMG: Në cilin qytet jeton dhe si është jetesa aty?
Met Xhaferri: Unë jetoj në Mantova dhe jetesa këtu është mirë, ka mjaftueshëm punë. Ndjehm mirë në këtë qytet dhe nuk më mungon ndonjë gjë e domosdoshme. Mendoj se po të kesh vullnetin për punë, çdo gjë tjetër e arrin.
Met Xhaferri gjate nje eventi ne Itali (Foto personale)
CMG: Vjen shpesh në Shqipëri për pushime dhe a mendon të kthehesh ndonjë ditë në vendin tënd?
Met Xhaferri: Unë vij një herë në vit në Shqipëri kur marrim pushimet e gushtit dhe pse do të doja të vija më shpesh. Nëse do të ishin mundësitë për t’u kthyer në Shqipëri, nuk do të ishte keq të kthehesha aty sepse është vendi im.
CMG: Ke mall për vendlindjen dhe çfarë të mungon më tepër?
Met Xhaferri: Më mungojnë disa gjëra të Shqipërisë dhe do të doja të kthehesha aty për të jetuar ato gjëra që kam bërë përpara se të vija në Itali. Kam shumë kujtime të mira nga vendlindja. Më mungon shumë ngrohtësia e njerëzve aty, sepse ne shqiptarët jemi shumë mikpritës.
Met Xhaferri ne Itali (Foto personale)
CMG: Gjithashtu merresh me muzikë në Itali. Cila është rryma muzikore që ndjek dhe sa vite ke që angazhohesh në fushën e muzikës?
Met Xhaferri: Unë kam filluar në moshë të re të shkruaj tekste dhe më vonë duke folur me profesorin tim të muzizkës i cili më sugjeroi që t’i realizoja këngë këto tekste. Unë kam një stil të lirë muzikor, që mund të jetë pop, hip-hop, këngë emocionale apo të trishtuara, që mund t’i bashkoj të gjitha këto rryma për të arritur aty ku dëshiroj. Nëse bëj një këngë timen e kam personale dhe jo të kopjoj ndonjë këngëtar tjetër.
CMG: Ke patur mundësi në Itali të bashkëpunosh me studio muzikore për të realizuar produksionet tuaja?
Met Xhaferri: Unë muzikën e krijoj vetë dhe pse kam patur mundësi të kem bashkëpunime me studio muzikore këtu, por mendoj se është më mirë të bashkëpunosh me një studio shqiptare.
CMG: Ka qenë e vështirë për ty të bësh art në një vend të huaj?
Met Xhaferri: Fillimisht ka qenë e vështirë, sepse unë doja të realizoja muzikën time. Në fillim shkruaja gjysmën e këngës në gjuhën shqipe dhe pjesën tjetër të këngës në italisht. Kur shkoja të këndoja në evente me publik italian njerëzit habiteshin, sepse nuk e njihnin gjuhën shqipe.
Met Xhaferri ne nje koncert ne Itali (Foto personale)
CMG: Ke marrë pjesë ne evente kulturore që organizon komuniteti shqiptar në Itali?
Met Xhaferri: Kam qenë pjesëmarrës në disa evente në Itali dhe në fund të këtij muaji do të kem një koncert që organizohet në qytetin ku jetoj. Në këtë event do të ketë dhe disa këngëtarë italianë dhe mua më ftuan për të kënduar këngë në gjuhën italiane. Kam patur një mbështetje të madhe nga MJ events, që organizojnë festa shqiptare në disa qytete të Italisë. Këtu organizohen shumë evente me këngëtarë të njohur shqiptarë, ku unë ju kam kërkuar të bëj prezantimin tim si këngëtar. Aty kam takuar dhe shumë këngëtarë të mirënjohur shqiptarë, si Ylli Baka, Valbona Halili, Elgit Doda e të tjerë. Kam patur kënaqësinë të isha me këto këngëtarë të njohur në të njëjtën skenë.
CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në qytetin ku ti jeton?
Met Xhaferri: Këtu organizohen shumë aktivitete nga komuniteti shqiptar dhe çdo event është plot me shqiptarë. Për festën e flamurit më 28 nëntor mbidhen të gjithë shqiptarët dhe festojnë së bashku. Këtu në Itali shqiptarët organizohen shumë me rastin e festave kombëtare.
CMG: Përveç muzikës a ke pasione të tjera?
Met Xhaferri. (Foto personale)
Met Xhaferri: Më pëlqen futbolli si gjithë të tjerët, por pasioni im i vetëm është muzika. Dëshiroj të krijoj këngë të reja dhe të vazhdoj të eci në këtë rrugëtim.
CMG: Deri tani ke shkruar këngë vetëm për vete, por a do kishe dëshirë të bashkëpunoje me këngëtarë të tjerë shqiptarë?
Met Xhaferri: Do ishte kënaqësi për mua që të bashkëpunoja me këngëtarë të tjerë, por momentalisht kam shkruar tekste vetëm për vete.
CMG: Ndjehesh më mirë kur këndon shqip apo italisht?
Met Xhaferri: Ndjehem më mirë kur këndoj në gjuhën time shqipe. Kuptohet që dhe në gjuhën italiane ndjehem mirë, por gjuha shqipe është gjuha ime dhe e ndjej më mirë veten tek tekstet e mia shqip.
CMG: Sa këngë ke krijuar deri tani?
Met Xhaferri: Këngët që kam krijuar i kam bërë për veten time dhe nuk i kam publikuar në YouTube, por vetëm gjatë eventeve i kam hedhur në rrjetet sociale. Aktualisht kam 20 këngë të realizuara, dhe shpresoj që së shpejti të bëj një projekt muzikor për t’i nxjerrë këto këngë, që dhe publiku t’i dëgjojë. Projekti i parë muzikor do të jetë nga vjeshta, kur do t’i publikoj të gjitha këngët e realizuara.
Meti ne Itali (Foto personale)
CMG: Ke dëshirë të angazhohesh në evente artistike në Shqipëri?
Met Xhaferri: Unë prandaj kam bërë vetëm këngë shqip, sepse dua të njihem më shumë në Shqipëri dhe e dua publikun shqiptar. Këngët e mia janë me tema sociale dhe për nënat shqiptare. Kënga e parë që kam shkruar titullohet “Nënë”, ku përshkruaj nënën në Shqipëri dhe ne që ikim larg. Kështu që i jam dedikuar më shumë këngëve të emigrimit, dhimbjeve dhe trishtimeve të shqiptarëve nëpër botë.
Intervistoi: Gazmend Agaj