Pogradec, organizohet për herë të parë Festivali i Peshkatarëve Shqiptarë
2024-07-15 11:17:16

Pogradec Festivali i Peshkatarëve (Foto ATSH)

Për herë të parë në Pogradec do të organizohet Festivali i Peshkatarëve Shqiptarë. Lajmi bëhet me dije nga kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, shkruan ATSH.

“Me grepin e hedhur në lumë, nga rrjetat e barkave shpërndarë në liqen, te flota e anijeve të peshkimit nëpër dete, Shqipëria është tashmë një superfuqi evropiane në peshkim”, shprehet Rama.

Festivali zhvillohet në datat 2, 3 e 4 gusht . Nga 28 maj – 1 qershor, në qytetin bregdetar të Sarandës u mbajt “Saranda Fish Festival”.

Qeveria shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të posaçme sektorit të peshkimit, duke e kthyer në sektor prioritar.

Ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin “Për peshkimin”, synojnë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të peshkimit dhe rritje e eksporteve, si dhe në përditësimin dhe përafrimin me legjislacionin e ri të Bashkimit Evropian në fushën e peshkimit.

Zënia e produkteve në det ka regjistruar një rritje prej 39% gjatë periudhës janar-maji 2024, krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, nga 979 ton të zëna në 5 mujorin e vitit të kaluar, përgjatë 2024, kjo shifër ka arritur në 1359 ton.(Fatosi)