
Forumi i Marakeshit (Foto Atsh)
Kryetarja e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë pranë Asamblesë Parlamentare të Mesdheut (PAM), Klodiana Spahiu, dhe anëtari i delegacionit, Fadil Nasufi, morën pjesë në punimet e takimit të dytë të Forumit Ekonomik Parlamentar të Marakeshit, organizuar nën kujdesin e kryetarit të Dhomës së Këshilltarëve të Marokut, Enaam Mayara, njëkohësisht president i PAM-it, shkruan “ATSH”.
Gjatë punimeve dyditore të Forumit u prezantua Guida e Parlamentarëve për Mbrojtjen e Detit dhe Bregdetit të Mesdheut.
Në kuadër të këtij takimi organizohet edhe Takimi i Bordit Këshillimor dhe Koordinues të Formit të Grave Parlamentare të PAM-it, i cili synon avancimin e pjesëmarrjes së plotë të grave në politikë si edhe fuqizimin ekonomik e social të grave në shtetet anëtare.
Kryetarja e delegacionit të Kuvendit pranë PAM-it, Klodiana Spahiu, është zgjedhur zëvendëspresidente e këtij forumi.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Spahiu u shpreh se barazia gjinore dhe fuqizimi i grave janë bërë pjesë integrale e agjendës politike dhe zhvillimore ndërkombëtare për disa dekada dhe ato janë në qendër të progresit drejt dhe arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
“Edhe pse në parlamentet tona ne kemi rregulluar me ligj barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, ka ende sfida që duhet t’i adresojmë”,- tha ajo.
Spahiu propozoi se disa fusha që duhet të jenë ne vëmendjen e forumit në strategjinë e tij 2-vjeçare janë: shëndeti fizik dhe psikologjik i grave, dhuna digjitale ndaj grave si edhe ndërmarrja e disa hapave konkretë drejt promovimit të politikave kundër ngacmimit dhe diskriminimit të grave në politikë. (Irma)
