
Zjarrfikes (Foto Atsh)
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi qytetarët dhe institucionet për rrezikun e temperaturave të larta në ditët në vijim.
Në një deklaratë për shtyp, AKMC-ja bëri thirrje për vëmendje të shtuar bazuar në situatën e krijuar nga zjarret në pyje, nisur nga parashikimi në buletinin e “Emergency Response Coordination Centre” (ERCC) në Bruksel, si dhe institucionet shqiptare si IGJEO, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, etj, shkruan “ATSH”.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar për të parandaluar incidente që mund të dëmtojnë jetën dhe pronën.
Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat do të arrijnë në mbi 40°C, çka krijon kushte të favorshme për zjarret në pyje dhe zona rurale.
“Nëse vini re tym apo zjarr, raportojeni menjëherë te Shërbimi i Zjarrfikësve në numrin 128 ose 112”,- bëri të ditur AKMC-ja.
“Zbatimi i këtyre masave është i domosdoshëm për të mbrojtur jetën, pronën dhe ambientin. Bashkëpunimi i çdo qytetari është i rëndësishëm për të siguruar një sezon veror të sigurt dhe të qetë”,- thuhet në njoftimin e AKMC-së. (Irma)
