Guvernatori Sejko (Foto Atsh)
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u takua me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga shefja për Shqipërinë Anke Weber.
Në fokus të takimit ishte analiza e situatës ekonomike dhe financiare në Shqipëri, projeksionet për të ardhmen, si dhe diskutimi mbi politikat e ndjekura, shkruan “ATSH”.
Guvernatori Sejko vlerësoi se trendet e zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit kanë qenë dhe mbeten pozitive, edhe përballë një ambienti botëror sfidues.
Po ashtu, ai theksoi se përditësimi i parashikimeve sugjeron se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë do të vijojë edhe në të ardhmen.
Sipas guvernatorit Sejko, normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare gjatë periudhës 2022-2023, bëri të mundur reduktimin e presioneve inflacioniste, pa dëmtuar perspektivat afatmesme të rritjes ekonomike.
Shefja e misionit të FMN-së konfirmoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë e financiarë të vendit.
Sipas saj, qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm dhe konsistent me respektimin e objektivit kryesor të Bankës së Shqipërisë, si dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend.
Gjithashtu, ajo nënvizoi se politika monetare duhet të vijojë të mbetet fleksibile, duke u udhëhequr në vazhdimësi nga informacioni i ri mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend.
Weber shtoi se progresi i mëtejshëm i reformave financiare të ndërmarra në vite do të sofistikojë më tej strukturën mbikëqyrëse dhe rregullatore duke nxitur zhvillimin e tregjeve financiare, duke fuqizuar mbrojtjen e konsumatorit, si dhe duke garantuar mbrojtjen e sistemit bankar.
Megjithatë, ajo theksoi se moscënimi i pavarësisë së institucionit të Bankës së Shqipërisë mbetet në çdo rast një parakusht esencial për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar të vendit.
Të dy palët theksuan rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës ekonomike dhe financiare, si dhe të koordinimit të kujdesshëm të politikave nga autoritetet shqiptare, duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur. (Irma)