Balluku (Foto Aberianews)
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se kompanitë “Solar park Gjoricë sh.p.k.”, “Infotelecom sh.p.k.”, si dhe “Global Enerji San.Ve, Ticaret A.S.” u shpallën fituese të ankandit fotovoltaik hibrid prej 300 MW me vlerë 39.7 euro për megavat-orë, shkruan “ATSH”.
Sipas Ballukut, jo vetëm që janë çmime të favorshme për shtetin shqiptar, por ankandet që MIE organizon që prej vitit 2019 tregojnë transparencën dhe standardet ndërkombëtare tashmë të konfirmuara dhe që përdoren si shembull edhe nga shtetet e tjera.
“Shqipëria arrin për të katërtin ankand radhazi të përfitojë çmim befasues të energjisë elektrike”,- bëri të ditur ministrja Balluku.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në muajt në vazhdim do të dalë me një studim të mirëfilltë të territorit shqiptar, të bazuar mbi kapacitetet që ne kemi në transmetim dhe në shpërndarje dhe duke orientuar kështu se ku do të ndërtohen njësitë e tjera gjerneruese, qofshin këto fotovoltaike apo eolike. (Irma)