
Ndermarrjet e vogla (Foto ACP.al)
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka hapur thirrjen për mbështetjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), për vitin 2024, të financuar nga buxheti i shtetit.
Kjo thirrje mbështet zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve brenda territorit të Shqipërisë, duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, inovacionin/rinovimin e teknologjisë, zhvillimin e artizanatit, si dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse, shkruan “ATSH”.
NMVM-të do të mund të përfitojnë mbulim 100% të kostove të miratuara deri në 2.5 milionë lekë.
Për ndërmarrjet që operojnë në fushën e inovacionit mbështetja do të jetë deri në 1 milion lekë. Për konkurrueshmërinë, fondi në dispozicion është 1.5 milionë lekë, për startup-et 800 mijë lekë dhe po aq edhe për mbështetjen e biznesit kreativ.
Kjo nismë ndërmerret për nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive të tyre lidhur me shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm.
Thirrja për projektpropozime do të qëndrojë e hapur deri më 11 gusht 2024. (Irma)
