Ministri Balla (Foto Atsh)
Gjatë inspektimit të Stacionit të rikonstruktuar të Policisë Kufitare në Divjakë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deklaroi se kjo zonë mbetet një destinacion i rëndësishëm turistik, që frekuentohet nga pushues vendas e të huaj, ndaj duhet garantuar mbarëvajtje e sezonit turistik, shkruan “ATSH”.
“Edhe ky bashkim mes gjithë aktorëve që përfshihen në këtë proces, Policia e Shtetit, Shërbimi Zjarrfikës, Policia Bashkiake, në fakt e tërë bashkia, është në funksion të mbarëvajtjes së këtij sezoni turistik. Edhe pjesa që lidhet me Policinë Kufitare, ka një rëndësi të veçantë për të garantuar perimetrin e sigurisë për të gjithë pushuesit. Mjetet motorike kanë vendin e tyre duhet të respektojnë largësinë. Edhe Njësia e Bregdetit ka peshën e vet, për të garantuar sigurinë e jetës së çdo pushuesi”,- tha ministri Balla.
Por veç garantimit të sigurisë në det, Balla kërkoi vëmendje nga strukturat për monitorimin dhe mbajtjen nën fokus edhe të paligjshmërive të tjera.
“Duhet të garantojmë që çdo pushues që zgjedh të pushojë në bregdetin e shkëlqyer të Divjakës, të jetë i sigurt. Nuk duhet toleruar asnjë rast i shkeljeve të rregullave të sigurisë që dëmtojnë pushuesit. Duhet të rrisim prezencën në territor përkundrejt veprimtarive kriminale. Për këtë sezon shpresoj që ta kalojmë sa më mirë bashkërisht. Sa u përket zjarreve, edhe ato sporadike që kemi pasur, duhet të jemi më të pranishëm që t’i parandalojmë. Nuk duhet të ketë tolerim për zjarrvëniet”,- tha Balla, duke u bërë thirrje autoriteteve që mos të tolerojnë asnjë rast pa ndëshkuar. (Irma)