Shqipëria dhe Gjermania, bashkëpunim kundër rreziqeve klimaterike
2024-07-14 15:22:13

Ministrja Kumbaro (Foto Rtsh)

Ministrja Kumbaro (Foto Rtsh)

Ministrja shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, dhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, nënshkruan marrëveshjen e përbashkët “ALBadapt”, me synimin për të forcuar menaxhimin e rreziqeve klimatike në Shqipëri dhe për të mbrojë më mirë popullsinë ndaj tyre, shkruan “RTSH”.

Ambasada gjermane bëri të ditur se Shqipëria është një ndër vendet më të prekura nga rreziqet klimaterike në Europë.

Për t’u përballur me këto kërcënime, Shqipërisë i duhen sisteme të përmirësuara të informacionit për klimën dhe motin. 

“ALBadapt” synon fuqizimin e Shërbimit Meteorologjik, si dhe përmirësimin e Shërbimit Kombëtar të Meteorologjisë për parashikime dhe paralajmërime të sakta.

“ALBadapt” synon edhe sistemin e paralajmërimit të hershëm me ngritjen e një sistemi më të mirë për të përgatitur njerëzit dhe institucionet për fatkeqësitë natyrore.

Sa i përket masave të përshtatjes, synohet mbështetja e bashkive në investime për zgjidhje të qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës.

Falë mbështetjes së Gjermanisë, Zvicrës dhe “Green Climate Fund” (GCF), do të vihen së shpejti në dispozicion mbi 36 milionë euro për të përgatitur Shqipërinë për ndryshimet klimaterike. (Irma)