foto nga Xinhua
Me ftesë të kryetarit të Dumës së Shtetit, dhomës së ulët të parlamentit rus, Viacheslav Volodin, dhe kryetares së Këshillit të Federatës Ruse Valentina Matviyenko, kryetari i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës Zhao Leji bëri një vizitë zyrtare të vullnetit të mirë në Rusi nga 9 deri më 13 korrik.
Gjatë vizitës, kryeligjvënësi kinez u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Shën-Petërburg dhe zhvilloi bisedime të veçanta me Matviyenkon dhe Volodinin në Moskë.
Zhao i përcolli presidentit Putin përshëndetjet e përzemërta dhe urimet më të mira të presidentit kinez Xi Jinping.
Duke vënë në dukje se sivjet është 75-vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Rusisë, Zhao theksoi se, nën drejtimin strategjik të liderëve të të dy vendeve, partneriteti strategjik gjithëpërfshirës kino-rus ka arritur një nivel të lartë zhvillimi dhe cilësie, duke sjellë përfitime konkrete për të dy vendet.
Duke kujtuar takimin e fundit midis presidentëve Xi dhe Putin në Astana të Kazakistanit, ku ata arritën disa marrëveshje strategjike, Zhao tha se Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Kombëtare të Kinës është i gatshëm të bashkëpunojë me Asamblenë Federale Ruse për të zbatuar këto marrëveshje kyçe në nivel legjislativ. Ky bashkëpunim synon të shtojë besimin reciprok politik, të thellojë bashkëpunimin praktik dhe të forcojë miqësinë mes dy popujve.
foto nga Xinhua
Putini i kërkoi Zhaos t'i përcjellë përshëndetjet e tij të përzemërta presidentit Xi dhe përmendi takimin e suksesshëm që pati me homologun kinez gjatë samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Astana, ku ata shkëmbyen pikëpamje të thelluara për çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe arritën konsensus të rëndësishëm. Putini theksoi bashkëpunimin e fortë midis organeve legjislative ruse dhe kineze, që mbështet përparësitë kryesore dypalëshe dhe nxit një mjedis të favorshëm për përparimin ekonomik, kulturor dhe ligjor.
Në diskutimet që pati me Matviyenkon dhe Volodinin, Zhao theksoi se orientimi strategjik nga dy krerët e shteteve është epërsia më e madhe politike e marrëdhënieve kino-ruse. Ai tha që të dyja palët duhet t'i përmbahen konsensusit të arritur nga udhëheqësit e tyre, të ruajnë fokusin strategjik, të forcojnë besimin në rrugën e zgjedhur prej tyre dhe të mbështesin me vendosmëri njëri-tjetrin në çështjet thelbësore.
Zhao theksoi nevojën për një koordinim e bashkëpunim më të fortë në platformat shumëpalëshe, si mekanizmi i bashkëpunimit i BRICS-it, Unioni Ndërparlamentar dhe Organizata e Bashkëpunimit e Shangait, për të mbështetur së bashku barazinë dhe drejtësinë ndërkombëtare.
foto nga Xinhua
Matviyenko vuri në dukje se, nën drejtimin strategjik të dy krerëve të shteteve, partneriteti gjithëpërfshirës strategjik Rusi-Kinë ka funksionuar në një nivel të lartë. Ajo theksoi mbështetjen e gjerë për zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën brenda shoqërisë ruse dhe bëri thirrje për një bashkëpunim më të fortë legjislativ, rritjen e shkëmbimeve në nivel pushteti vendor, përfshirjen e ligjvënësve të rinj, si edhe rritjen e bashkëpunimit dypalësh në ekonomi, tregti e shkëmbimet njerëzore.
foto nga Xinhua
Viacheslav Volodin tha nga ana e tij se palët e ndryshme në Dumën e Shtetit të Rusisë mbështesin vazhdimisht zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën. Ai ritheksoi angazhimin e Rusisë ndaj parimit të “një Kine” dhe kundërshtimin ndaj çdo ndërhyrjeje të jashtme në punët e brendshme të Kinës. Volodini bëri thirrje gjithashtu për risi e përmirësime në modelin e bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative, për të rritur vazhdimisht nivelin e bashkëpunimit. (Fang Xiaoyu/Artan)