Producenti dhe instrumentisti Rinor Ukimeri krijues i aplikacionit “Kangët shqipe” dhe konkursit “We Sing”
2024-07-14 10:33:09

Producenti dhe instrumentisti  Rinor Ukimeri e ka nisur muzikën në moshë  shumë të re. Ai është një ndër instrumentistët e njohur në Kosovë, si pjesë e disa grupeve muzikore të suksesshme. Prej mëse 10 vitesh punon si producent  dhe  ka bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës shqiptare si Alma Bektashi, Sabri Fejzullahu, ndërsa prej 14 vitesh është pjesë e bandës muzikore të kantautorit  Dren Abazi. Si instrumentist Rinori ka shoqëruar në koncerte artistët Alban Skënderaj, Marsela Çibukaj, Kamela Islamaj etj. Rinori është krijuesi i aplikacionit "Kangët shqipe", ku të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen mund të mësojnë me akorde këngët e bukura shqiptare. Gjitashtu ai është krijuesi dhe drejtori i konkursit muzikor "We Sing”, ku zbulojnë talentë të rinj ". Në intervistë për Radio Ejani Rinori flet për këto projekte dhe risitë e talent show-t që do të vijë në shtator.

Artisti i madh Sabri Fejzullahu dhe Rinor Ukimeri (Foto nga instagrami)

Artisti i madh Sabri Fejzullahu dhe Rinor Ukimeri (Foto nga instagrami)

CMG: Në studion tënde ke bashkëpunime me emra të njohur të muzikës së fundi edhe me artistët si Alma Bektashi, Sabri Fejzullahu, etj. Na trego për këto bashkëpunime dhe cilat janë të rejat më të fundit?

Rinor Ukimeri: Unë kam më shumë se 10 vite që kam studion time, ku kaloj pjesën më të madhe të kohës dhe realizoj këngë për artistë të ndryshëm. Kam punuar kohët e fundit edhe një këngë të re të artistit Sabri Fejzullahu, një këngë verore ritmike, për t’i  mbetur stilit të tij, një tjetër këngë për artistin Mahmut Ferati, e për shumë artistë të tjerë që do sjellin këngët e tyre gjatë verës, e më pas në festivale në tetor, nëntor, etj.

CMG: Rinor, në foton tënde me Sabri Fejzullahun, shihja komente të ndryshme nga kolegët tuaj, ku shkruanin komplimente të ndryshme, ndër to dhe epitetin “Dy mbretër”.

Rinor Ukimeri: Kjo ishte pak e ekzagjeruar. Sabri Fejzullahu i ka rreth 60 vite karrierë, në vitin 1967 ka patur daljen e parë në skenë dhe mendoj se është një pasuri e vërtetë kombëtare. Më vjen mirë që më vlerësojnë dhe për mua është privilegj të punoj me të. Ai është inspirues pasi edhe për moshën që ka, nuk ndalet, punon shumë. Kur unë u kërkoj për ta regjistruar edhe një herë materialin në studio, ka edhe artistë të  rinj që përtojnë ta regjistrojnë disa herë, por me Sabriun ndodh e kundërta,  nuk përton ta regjistrojë edhe 100 herë.

Rinor Ukimeri (Foto nga wikipedia)

Rinor Ukimeri (Foto nga wikipedia)

CMG: Rinor, përveçse je producent dhe instrumentist, ndërsa kohët e fundit ke realizuar edhe një aplikacion që quhet  “Kangët shqipe”. Si mund të kenë akses të gjithë aty?

Rinor Ukimeri: Këtë projekt e kam nisur nga viti 2017, me një platformë si Gjirafa -Video,  ku kemi realizuar një projekt me video-shkolla  me këngë shqiptare. Si në atë kohë, por edhe tani ka patur mungesë të tyre në internet. Nëse sot dikush mëson që të luajë një këngë në çdo lloj instrumenti, nëpër botë ka plot, por te këngët shqiptare ka mungesa. E filluam këtë projekt që në atë kohë pati një sukses të caktuar, vijoi sërish në kohën e pandemisë kur njerëzit ishin të mbyllur. Kam menduar se si mund të jetë ky projekt sa më praktik, të ketë sa më pak probleme tek dëgjuesit, tek muzikantët apo dashamirësit e muzikës. Këtë projekt mendova ta kanalizoj në një aplikacion që të jetë për të dy platformat iOS dhe Android, në të cilin do t’i ngarkoj video -shkollat për “kangët shqipe”, fillimisht për instrumentin e kitarës. Të gjithë ata që kanë interes mund ta shkarkojnë në telefonin e tyre apo në çdo pajisje të mençur, ku do të kenë mundësi t’i luajnë “Kangët shqipe” në formën më të thejshtë në instrumentin e kitarës, por në të ardhmen edhe për instrumente të tjera.

Artisti i madh Sabri Fejzullahu dhe Rinor Ukimeri (Foto nga instagrami)

Artisti i madh Sabri Fejzullahu dhe Rinor Ukimeri (Foto nga instagrami)

Platformën “Kangët shqipe” mund ta gjejnë në telefonat IOS në App Store, ndërsa në platformën Android kemi pak probleme deri sa të na konfirmohen disa gjëra, por së shpejti do jetë aktive në google play. Vlen të theksohet se ky aplikacion është dhe do të jetë falas  deri sa të ekzistojë. Momentalisht kemi ngarkuar gjithsej 30 video-shkolla me 30 këngë shqiptare që i kemi përzgjedhur për etapën e parë. Shpresoj që brenda katër viteve këtë numër të video-shkollave ta çojmë deri në 300-400  shkolla të tilla për instrumente të ndryshme, kitarë, piano, bateri, çifteli e disa këngë tradicionale. Videot do jenë në stade të ndryshme, duke nisur nga ajo fillestare, ndërsa në të ardhmen mendoj që të shkoj në stadin e avancuar si dhe atë profesional. Të gjitha këto mësime mund të merren pa pagesë, mjafton të keni një instrument afër vetes, vullnetin, dëshirën dhe pasionin  për muzikën.

Rinori në studio (Foto nga facebook)

Rinori në studio (Foto nga facebook)

CMG: Me aplikacionin “Kangët shqipe”, do kenë mundësi që të luajnë muzikë shqiptare jo vetëm shqiptarët kudo ku ndodhen, por edhe të huajt?

Rinor Ukimeri: E vërtetë. Madje më kanë kontaktuar shumë shqiptarë që jetojnë në diasporë. Ata i kanë shkollat shqipe vetëm të shtunën dhe më kanë kontaktuar mësuesit e muzikës, sepse duan që fëmijëve t’u mësojnë këngët shqiptare, por edhe të huajt që duan të mësojnë gjuhën shqipe. Aty nuk ka patur ndonjë limit kur i kemi krijuar, kemi këngë popullore, këngë të lehta, këngë arbëreshe, këngët e Shqipërisë së mesme, këngët e viteve ’70-‘80 kur lulëzonte rrok & rolli, apo dhe hitet aktuale. I vetmi  kriter është që ato të jenë melodike dhe të luhen në instrument.

Rinor Ukimeri në skenë me bashkëshorten e tij këngëtare Jehona Lumi, si dhe artistë të tjerë (Foto nga instagrami)

Rinor Ukimeri në skenë me bashkëshorten e tij këngëtare Jehona Lumi, si dhe artistë të tjerë (Foto nga instagrami)

CMG: Do luhet kënga në mënyrë instrumentale, apo do jenë bashkangjitur edhe akordet muzikore?

Rinor Ukimeri: Dua të sqaroj se  një video nuk zgjat më shumë se 5 minuta dhe nuk ka asnjë reklamë në të. Në fillim tregohet se cila këngë do trajtohet, cilat janë akordet, në një video tjetër tregohet ritmi që do mbahet me dorën e majtë dhe në një video tjetër e luajmë bashkë me këngën ritmin dhe akordet. Për të gjithë ata që kanë sugjerime ne kemi lënë edhe një e-mail aty, ku mund të na shkruajnë.

 CMG: Projektet e tua kanë qenë të shumta, një ndër të cilët është edhe talent show “We Sing”, dhe këtë vit pret të nisë edicionin e tij të dytë. Si shkoi një vit më parë dhe çfarë të rejash do të ketë këtë vit?

Rinor Ukimeri: Një vit më parë realizuam edicionin e parë të talent show-ut  “We Sing”. Kjo ka qenë një ide e imja me ndihmën e bashkëpunëtorëve të mi kryesisht nga bota e muzikës. Në edicionin e parë ka qenë vetëm një natë “live”, pasi nuk kishim shumë buxhet. Forma e aplikimit ka qenë nëpërmjet një website që ne e kemi krijuar, ku të githë të interesuarit i kanë dërguar videot e tyre për një minutë dhe ato video ja kemi dërguar jurisë profesionale që ka qenë e përzgjedhur për këtë talent show, të cilët përzgjodhën 10 finalistët. Aplikimi ka qenë përditë i hapur, në të cilin konkurruan 310 persona nga të gjitha trojet shqiptare. Në jurinë profesionale kanë qenë artistët Alma Bektashi, Dren Abazi, Alban Nimani dhe Kamela Islami, nën udhëheqjen live të bandës muzikore nga Keli Band nga Tirana dhe prezantuar nga Evi Reçi. Fituesja e çmimit të parë ka qenë nga Shqipëria, Elisa Papa.

Ndërsa këtë vit në edicionin e dytë, po mendojmë që ta realizojmë katër herë më të madh se edicioni i parë, nga një natë live vjet, këtë vit do jenë katër mbrëmje live, çdo javë nga një. Dy netët e para do jenë audicionet e fshehura, ku këtë vit pretendohet të marrin pjesë rreth 600 konkurrentë, por do të përzgjidhen  vetëm 15 talentë që do të marrin pjesë në gjysmëfinale, e cila do të jetë live në televizion  duke interpretuar me një orkestër të madhe.

Foto nga spektakli We Sing (Foto personale)

Foto nga spektakli We Sing (Foto personale)

Ndërsa në natën finale do të zgjidhen 7 finalistë ku do të këndojnë nga dy këngë secili, një solo dhe një këngë me të ftuar specialë. Këtë vit kanë të konfirmuar në juri Dren Abazi dhe Alma Bektashi, mbeten për t’u konfirmuar edhe dy të tjerë.  Çmimi i parë këtë vit do të fitojë realizimin e një kënge me videoklip, si edhe një kontratë pune si këngëtar me televizionin me të cilin kemi arritur marrëveshje për këtë konkurs. Talent- Show mban emrin “We Sing”, e të gjithë kanë menduar se e kemi marrë patentën nga jashtë, por kjo është një ide e imja dhe mendova se tingëllonte mirë ashtu. Përgjatë këtyre viteve e pamë që kishin munguar talent show-t në vend dhe menduam se ishte e nevojshme për t’u krijuar një i tillë. Patëm shumë talente të interesuar me mjaft kualitet në mesin e aplikantëve.

Rinor Ukimeri në intervistë për Radio Ejani

Rinor Ukimeri në intervistë për Radio Ejani

CMG: Rinor ti  dhe bashkëshortja jeni muzikantë. A është e thjeshtë apo e  vështirë të jenë dy artistë në një familje?

Rinor Ukimeri: I ka të dyja anët, është mirë sepse merremi vesh në aspektin muzikor, por në anën tjetër është edhe pak problem pasi e kërkojmë të dy perfeksionin dhe në fakt perfeksioni jo çdo herë është diçka që arrihet shpejt. Diçka që mua mund të më duket shumë e mirë, Jehonës mund të mos i pëlqejë. Në përgjithësi kalojmë shumë mirë në aspektin profesional, pasi ndihma e Jehonë në projektet e mia është shumë e madhe. Ajo më ndihmon mjaft në krijimin e vijave melodike, teksteve për këngët e artistëve të ndryshëm, por edhe për këndimin e demove. Më shumë mendoj se është e thjeshtë kjo gjë.

Dren Abazi, Çelik Lipa dhe Rinor Ukimeri (Foto personale)

Dren Abazi, Çelik Lipa dhe Rinor Ukimeri (Foto personale)

CMG: Si çift, a do ju shohim me ndonjë bashkëpunim në të ardhmen?

Rinor Ukimeri: Duke qenë se jemi bashkë në studio, e lemë gjithmonë për një herë tjetër, madje kemi shumë projekte gati të përfunduara, por nuk e kanë parë dritën asnjëherë. Mendoj që në të ardhmen e afërt të fillojmë të prodhojmë më shumë bashkë me Jehonën.

Rinori në kitare (Foto nga instagrami).Rinori me koncert në Belgjikë (Foto nga instagrami)

Rinori në kitare (Foto nga instagrami).Rinori me koncert në Belgjikë (Foto nga instagrami)

CMG: Plane të afërta cilat janë?

Rinor Ukimeri: Përfundimin e punëve, materialeve muzikore për shumë artistë për sezonin veror, kemi një sezon veror shumë të ngjeshur. Nga muaji shtator-tetor presim të realizojmë talent show-n “We- Sing”, gjithashtu presim të bëjmë edhe përditësimin e parë të aplikaconit me këngë shqiptare si, “Kangët shqipe 1.1”, ku mendojmë që të shtojmë numrin e video-shkollave, e shumë punë e projekte të tjera.

Intervistoi: Sava Lena