Shqipëria nënshkruan dokumentin për Lëvizshmërinë Ushtarake në Korridorin VIII
2024-07-13 17:43:04

Dokumenti per levizshmerine ushtarake (Foto Atsh)

Dokumenti per levizshmerine ushtarake (Foto Atsh)

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi nënshkroi gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Uashington, Letrën e Qëllimit për sigurimin e Lëvizshmërisë Ushtarake përgjatë Korridorit VIII Pan-Europian, me homologët e tij të Maqedonisë së Veriut, Vlado Misajlovski, të Bullgarisë, Atanas Zaprianov, dhe të Italisë, Guido Crosetto.

Përmes këtij dokumenti, shtetet angazhohen të marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar maksimumin e fleksibilitetit të lëvizshmërinë ushtarake në territoret e tyre në mbështetje të implementimit të agjendës së NATO-s për shkurajimin dhe mbrojtjen në zonën euro-atlantike, shkruan “ATSH”.

Një angazhim i tillë do të shërbejë jo vetëm për misionet e NATO-s, por edhe ato në kuadër të Bashkimit Europian.

Dokumenti u jep mundësi trupave ushtarake NATO-s të zhvendosen shpejt dhe lirshëm nga deti Adriatik në Detin e Zi si dhe të depërtojnë në thellësi të Ballkanit, nëse do të jetë e nevojshme.

Ideja për të pasur një dokument të tillë, i cili do të garantojë lëvizshmërinë përgjatë vendeve që preken nga Korridori VIII Pan-Europian është propozuar nga Shqipëria, e cila drejtoi të gjithë procesin e negocimit dhe koordinimit.

Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, përgjatë të gjithë procesit ndërvepruan dhe u angazhuan për ta finalizuar këtë nismë gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Uashington.

Letra e Qëllimit do të rrisë vizibilitetin e projekteve të përbashkëta si dhe rëndësinë gjeostrategjike të tyre për të gjithë rajonin. (Irma)