Kryediplomati kinez takohet me homologët e Gabonit, Madagaskarit dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së
2024-07-13 16:01:40

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të premten me Ministrin e Jashtëm të Gabonit Regis Onanga Ndiaye, Ministren e Punëve të Jashtme të Madagaskarit Rafaravavitafika Rasata dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, të cilët po marrin pjesë në ceremoninë e hapjes në Pekin, të Konferencës së Dytë të Nivelit të Lartë të Forumit mbi Veprimin Global për Zhvillim të Përbashkët.

Gjatë takimit me Regis Onanga Ndiaye, Wang Yi tha se Iniciativa për Zhvillim Global i përgjigjet dëshirës urgjente të vendeve në zhvillim për përparim të përshpejtuar, duke shtuar se Kina vlerëson pjesëmarrjen e Gabonit në Grupin e Miqve të Nismës për Zhvillim Global.

Kina është e gatshme të punojë me vendet afrikane për të bashkuar forcat, në mënyrë që të përshpejtojë zbatimin e agjendës së Kombeve të Bashkuara 2030 për zhvillim të qëndrueshëm, si edhe të promovojë zhvillimin dhe rigjallërimin e kontinentit afrikan, shtoi ministri Wang.

Regis Onanga Ndiaye shprehu mirënjohje për mbështetjen e Kinës në ndjekjen e drejtësisë nga Gaboni dhe procesin e tij tranzitor, si dhe mbështetjen e saj për zgjedhjen e pavarur të Gabonit për sistemin kombëtar dhe rrugën e zhvillimit. Gaboni vlerëson serinë e nismave të rëndësishme globale të propozuara nga Kina dhe do të vazhdojë të marrë pjesë aktivisht. 

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Gjatë takimit me Rafaravavitafika Rasata, Wang tha se Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët, për të bashkuar përpjekjet dhe ndihmuar vende të ndryshme në përshpejtimin e procesit të modernizimit. Kina mirëpret pjesëmarrjen aktive të Madagaskarit në zbatimin e tre masave kryesore për të mbështetur industrializimin afrikan, modernizimin e bujqësisë dhe zhvillimin e talenteve, të cilat u shpallën gjatë Dialogut të Liderëve Kinë-Afrikë në Afrikën e Jugut, shtoi ai.

Rafaravavitafika Rasata deklaroi se ndihma e Kinës për Afrikën nuk ka qenë kurrë e kushtëzuar. Ajo ka propozuar një sërë nismash të rëndësishme globale, duke demonstruar vendosmërinë e saj për të mbështetur zhvillimin e vendeve afrikane dhe vendeve të tjera të Jugut Global. Madagaskari e vlerëson këtë dhe do të vazhdojë të marrë pjesë aktive në zbatim.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Gjatë takimit me Ban Ki-moon, i cili është edhe Kryetar i Forumit Boao për Azinë, Wang tha se propozimet për ndërtimin e një komuniteti me të ardhme të përbashkët për njerëzimin, nisma “Një brez, një rrugë” dhe tre iniciativat kryesore globale, kanë fituar mbështetje të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar. Kina është e gatshme të punojë me Kombet e Bashkuara, për të injektuar një shtysë të fortë në zbatimin e agjendës së zhvillimit të qëndrueshëm, si edhe për të dhënë kontribut më të madh për paqen botërore dhe zhvillimin njerëzor.

Ban Ki-moon tha se konceptet dhe propozimet kryesore të paraqitura nga Kina, të tilla si nisma “Një brez, një rrugë” dhe Nisma e Zhvillimit Global, do të sjellin prosperitet dhe mirëqenie në botë.    (Fang Xiaoyu/Elona)