Ministri Mete diskuton me delegacionin e FMN-së për ecurinë e ekonomisë dhe treguesit kryesorë makroekonomikë
2024-07-13 17:13:17

Ministri Mete (Foto Atsh)

Ministri Mete (Foto Atsh)

Ministri i Financave, Ervin Mete, priti në një takim shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anke Weber, me të cilën diskutoi mbi ecurinë e ekonomisë dhe treguesit kryesorë makroekonomikë.

Në takim u vlerësua se përgjithësisht situata makrofiskale në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme dhe pritshmëritë për rritjen e mëtejshme ekonomike janë pozitive, shkruan “ATSH”.

Sipas ministrit Mete, rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2023 u vlerësua 3.63%, ndërsa niveli i inflacionit arriti në 2.1% në muajin qershor, me rënie të ndjeshme krahasuar me një vit më parë kur ishte në nivelin 4.5%.

Ministri theksoi faktin se borxhi publik pas një periudhe të gjatë zbriti nën 60% të PBB-së në 58.9% në fund të vitit 2023 dhe projektohet të vazhdojë trajektoren rënëse edhe për periudhën në vijim.

Ministri Mete vuri në dukje se tashmë është miratuar Strategjia e re e Menaxhimit të Financave Publike deri në vitin 2030, e cila vë theksin në rritjen e transparencës dhe kontrollit më të mirë të shpenzimeve publike.

Në takim u diskutua gjithashtu edhe mbi rishikimin e Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave me fokus rritjen e miradministrimit fiskal.

Mete u shpreh se drafti është në proces finalizimi dhe së afërmi do të publikohet për konsultim publik.

Shefja e Misionit të FMN-së vlerësoi punën e bërë nga Ministria e Financave në lidhje me garantimin e qëndrueshmërisë së financave publike dhe vijimin e konsolidimit fiskal.

Takimi u zhvillua në përmbyllje të vizitës së Misionit të FMN-së në Shqipëri. (Irma)