Ministrja Denaj: Verërat shqiptare, sektor kyç për zhvillimin ekonomik
2024-07-13 17:10:38

Vera shqiptare (Foto Businessmag.al)

Vera shqiptare (Foto Businessmag.al)

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se vreshtaria dhe prodhimi i verërave cilësore shqiptare sot janë kthyer në një sektor kyç për zhvillimin ekonomik dhe një krenari për markën shqiptare “Made in Albania”.

Në një postim në rrjetet sociale, cituar nga “ATSH”, ajo bëri të ditur se në vitin 2023 u regjistruan 10.178 hektarë vreshta dhe 9822 hektarë vreshta në prodhim. 

Ministrja Denaj theksoi se gjatë vitit 2023 pati dhe 61.7 tonë eksporte, duke shënuar vlerën më të lartë ndër vite.

“Verërat tona tashmë po shijohen në tregjet më elitare ndërkombëtare, duke fituar prestigj, çmime prestigjioze në panaire dhe njohje globale, duke na bërë krenarë në të gjithë botën”,- shkroi ministrja Denaj.

Ajo njofton se gjatë vitit 2023 u eksportuan 138% më shumë në sasi.

Sipas saj, rritja e sektorit të verës ka ardhur nga mbështetja që i ka dhënë qeveria nga Skemat Kombëtare në vite dhe Programi IPARD për rritjen e sipërfaqeve të vreshtave, investimet në pajisje teknologjike për procesin e prodhimit, rritja e çertifikimit të fidanëve autoktonë dhe mbështetja për të marrë pjesë në panaire ndërkombëtare në tregje elitare.  (Irma)