Mijëra vizitorë shprehin interes për Muzeun “Marubi”
2024-07-13 17:45:06

Muzeu Marubi (Foto Atsh)

Muzeu Marubi (Foto Atsh)

Turistët kanë shprehur interes për të parë Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, në Shkodër. Në 6-mujorin e parë të vitit muzeu është vizituar nga gati 9000 turistë, rreth 3000 më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, shkruan “ATSH”.

Drejtori i muzeut Luçjan Bedeni deklaroi se Muzeu Marubi gjatë këtyre viteve është vizituar më së shumti nga të huaj që vijnë nga Europa Qendrore, por vërehet një numër në rritje i vizitorëve spanjollë.

Në vitin 1970 u themelua Fototeka Marubi dhe në maj të vitit 2016, me koleksionet e fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, i cili sot konsiderohet si një nga muzetë unikë në Europë.

Muzeu sot ka një koleksion të rrallë me fotografi me rreth 500 mijë negativë në teknika dhe formate të ndryshme, si dhe aparate fotografikë, dokumente të ndryshme dhe portrete të fotografëve shqiptarë. (Irma)