Kryeprokurori Çela (Foto Atsh)
Prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela, zhvilloi një takim me shefen e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqiëri, Giulia Re, për të diskutuar mbi çështje që lidhen me sigurinë e gazetarëve, si dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale në hetimin e çështjeve, shkruan “ATSH”.
Kryeprokurori Çela theksoi rritjen e angazhimit institucional të prokurorisë në këtë drejtim, duke e konsideruar si një nga prioritetet në punën e prokurorisë.
Shefja e Zyrës së Këshillit të Europës shprehu vullnetin për të vazhduar mbështetjen e prokurorisë në drejtim të trajnimit të mëtejshëm të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, sa i përket lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve, aktivitete që organizohen në kuadër të projektit të përbashkët mes Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri”.
Në takim u ra dakord për nevojën e thellimit të koordinimit dhe bashkëpunimit mes palëve në të ardhmen. (Irma)