Ministrja Muzhaqi: Ligji për Vullnetarizmin, prioritet për zhvillimin e shoqërisë civile
2024-07-13 17:44:17

Ministrja Muzhaqi (Foto Atsh)

Ministrja Muzhaqi (Foto Atsh)

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, organizoi konferencën mbi rishikimin e Ligjit “Për vullnetarizmin”. 

Në Konventën Kombëtare për Integrimin Europian dhe Ligjin “Për vullnetarizmin” aktorët kryesorë të fushës së vullnetarizmit vijuan me praktikën e bashkëhartimit të propozimeve për ndryshime ligjore me shoqërinë civile.

Ministrja Muzhaqi u shpreh se kjo konferencë është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një legjislacioni më të mirë për vullnetarizmin, duke e bërë atë më të përshtatshëm dhe të qasshëm për të rinjtë dhe shoqërinë civile, shkruan “ATSH”.

“Ne jemi të përkushtuar për të siguruar që ligjet tona të jenë në përputhje me standardet evropiane dhe të mbështesin zhvillimin e një mjedisi mundësues për vullnetarizmin në Shqipëri”,- tha ministrja.

Gjatë konferencës u dakordësuan pikat e përbashkëta që do të rekomandohen për ndryshimin e projektligjit të vullnetarizmit, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës dhe kërkesat e shoqërisë civile.

Kjo konferencë u organizua në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri, Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri dhe me mbështetjen e UNICEF-it dhe “World Vision Albania”, që kanë kontribuuar në rishikimin e ligjit “Për vullnetarizmin”. (Irma)