Censi 2023 dhe rëndësia e tij për ekonominë e Shqipërisë
2024-07-12 10:41:58

Censi 2023 (Foto Shqiptarja. com)

Censi 2023 (Foto Shqiptarja. com)

Më 27 qershor 2024, Instituti kombëtar i Statistikave(INSTAT) publikoi të dhënat përfundimtare mbi aktivitetin e rregjistrimit të popullsisë dhe banesave në Shqipëri, të kryer gjatë muajve tetor-nëntor 2023, i quajtur ndryshe Censi 2023.

Ky cens përbën rregjistrimin e tretë masiv, të kryer në vend që nga viti 1990. Ai është i dymbëdhjeti në historinë e censeve, që nga viti 1913.

Censi është aktivitetit statistikor më madhor dhe  kompleks, që Instituti i Statistikave i Shqipërisë kryen në periudha dhjetë-vjeçare. Tek ne, censet historikisht kanë siguruar të dhëna të vlefshme për të informuar politikbërësit, për të hartuar strategji kombëtare për zhvillim dhe për të kuptuar nevojat në ndryshim të popullsisë sonë.

Kohët e fundit, ky aktivitet ka ofruar informacion thelbësor për matjen e Objektivave të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm, për të siguruar përfshirjen në integrimin europian, nëpërmjet statistikave zyrtare, si një domosdoshmëri dhe gjuhë e përbashkët, për matjen e progresit të çdo vendi, në familjen e madhe evropiane.

Kryerja e Censit përmbush gjithashtu kushtin për hapjen e negociatave për procesin e Integrimit Europian. Rezultatet e Censit 2023 do të përdoren për të siguruar statistika të nevojshme, si pjesë e sistemit statistikor Europian në të ardhmen.

Censi i vitit 2023 solli shumë inovacione, të tilla si përdorimi i teknologjisë së informacionit në mbledhjen e të dhënave, një sistem gjeohapësinor të digjitalizuar monitorimin në kohë reale të ecurisë dhe cilësisë së mbledhjes së të dhënave, si dhe një gamë më të gjerë informacioni të mbledhur.

Nga Censi 2023, rezultoi se jemi 2.4 milionë banorë, 400 mijë ose 17 përqind më pak, nga 2.8 milionë banorë që ishim në vitin 2011.

E dhëna më shqetësuese për politikat tona zhvillimore, është se jemi një vend dhe shoqëri që po plakemi me shpejtësi. Mosha mesatare e popullsisë u rrit këto 12 vjet nga 35 në 42 vjeç. Kemi nevojë të domosdoshme për politika, programe dhe fonde, që të nxisin fort familjet tek ne të bëjnë më shumë fëmijë, si dhe që të mbajmë rininë dhe të punësuarit tanë këtu në Shqipëri. 

Instituti kombëtar i Statistikave(INSTAT) është një hallkë themelore dhe e pazëvendësueshme e sistemit tonë kombëtar të statistikave, të përbëre nga vetë INSTAT, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Gjatë viteve të fundit, INSTAT ka njohur zhvillim të konsiderueshëm profesional dhe po provon të luajë një rol në rritje në vendim-marrjen ekonomikë të vendit, si në sektorin publik dhe atë privat, përmes produkteve periodike dhe serive të tij statistikore .

INSTAT do të vijojë punën me rishikimin e popullsisë nga viti 2011 deri në vitin 2023, si dhe me projeksionet e popullsisë dhe strukturën demografike të saj në 20 vitet e ardhshme. Duke vazhduar të punojë me një sërë publikimesh tematike të detajuara, si tendencat e migracionit, nivelet e arsimimit të fëmijëve dhe të rinjve, zhvillimet socio-ekonomike, tipologjia e ndërtesave dhe banesave, etj..

Këto analiza do të jenë për përdoruesit publikë dhe privatë një burim informacioni, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më të barabartë dhe të qëndrueshme për të gjithë shoqërinë. Të dhënat e Censit 2023 janë një e mirë publike. Ato ju ofrohen hartuesve të politikave publike, vendimarrëseve publike dhe private, studiuesve, bizneseve, për t’i përdorur për planifikimin zhvillimor, si dhe analizën e dukurive demografike, sociale dhe ekonomike, në dobi të tyre dhe te qytetareve tanë. Për rëndësinë e Censit në ekonominë shqiptare dhe pushtetin vendor flet për Grupin Mediatik të Kinës Drejtori i Institutit të Bashkive Agron Haxhimali

Agron Haxhimali në intervistë për CMG

Agron Haxhimali në intervistë për CMG

 

CMG: Pak kohë më parë, Instituti i Statistikave publikoi rezultatet e Rregjistrimit të Popullsisë dhe Banesave, të quajtur Censi 2023, realizuar në muajt tetor-nëntor 2023. Pse është i rëndësishëm për ekonominë dhe shoqërinë tonë ky numërim?

Agron Haxhimali: Së pari,  duhet të theksoj se është lajm i mirë, që më në fund u publikuan të dhënat e Censit, ku institucionet shqiptare, organizat, bashkitë, qeveria, Parlamenti, por edhe organizatat ndërkombëtare, kanë disa të dhëna të rëndësishme, ku mund t’i referohen Shqipërisë për format e tyre të bashkëpunimit.

Në këtë aspekt, Censi është shumë i rëndësishëm, pasi, bazuar në këto të dhëna, të gjitha institucionet shqiptare orientojnë zhvillimin, veprimtarinë ekonomike, orientojnë politikat në fusha të ndryshme, vendimarrjen, planet , strategjitë e zhvillimit, si ato kombëtare, ashtu dhe ato rajonale dhe lokale.

Pa këto të dhëna, çdo plan, çdo hartim i çdo politikëbërje apo realizim i politikbërjes në cilado nivele të qeverisjes, qoftë në ato qendrore apo edhe lokale, do të ketë mangësi. Ndaj gjykoj se është moment i mirë. Jemi në mes të vitit, si atij kalendarik edhe atij buxhetor.

Jemi në mes të afateve kohore, kur fillon hartimi i politikave dhe i buxhetit për vitin 2025, në mënyrë që këto të dhëna që ka nxjerrë INSTAT, të cilat konsiderohen të çertifikuara, të reflektohen të hidhen në letër dhe të përdoren nga të gjitha institucionet për vitin e ardhshëm.

CMG: Censi 2023 u realizuar i gjithi elektronik. Sa ndihmoi kjo në tregues më të shumtë, më të gjerë dhe më përfshirës të këtij Censi?

Agron Haxhimali: Projekti i Censit ka tre elementë shumë të rëndësishëm. Burimet njerezore të numërimit ishin mjaft të shëndetshme. Të hedhësh në treg 7000 anketues për një popullatë si kjo e jona me rreth 2.4 milionë banorë, ishte tregues i mirë.

Elementi i dytë ishin mjetet financiare të përdorura, rreth 17-19 milionë euro dhe kjo ishte shumë e shëndetshme.

E treta është ajo që thoni ju me të drejtë, përdorimi i teknologjisë moderne. Ishte censusi i 13-të në historinë e kombit shqiptar, kur për herë të parë u krye numërimi elektronik.

Në mënyrë të padiskutueshme, përdorimi i teknologjisë shërben si risi për hedhjen e të dhënave, përpunimin e tyre, saktësinë, apo edhe shpejtësinë e tyre. 

Që të treja burimet ishin themelore. Veçanërisht teknologjia digjitale ishte e rëndësishme, secili institucion duhet t’i drejtojë zhvillimet e veta tek ajo që quhet qeverisja elektronike, përmes platformës elektronike “e-Albania”.  

CMG: Sa e ndihmojnë treguesit e Censit 2023 tij vendim-marrjen publike në nivel të ekonomisë në tërësi, pra në qeverinë qendrore? Nga ana tjetër, pse treguesit e tij kanë rëndësi edhe për pushtetin vendor, për reformën e decentralizimit dhe për të 61 bashkitë e vendit?

Agron Haxhimali: Këto tregues janë të mjaftueshëm, për të orientuar drejt çdo politikë. Janë të mjaftueshëm, edhe pse censusi përfundimtar do të dalë më vonë.

Këto janë të dhënat e para, por janë mjaftueshëm, për të bërë politikë të shëndetshme në të gjitha aspektet. Le të marrim atë që është më e rëndësishme dhe t’i referohemi pakësimit  të popullsisë me 420.000 banorë.

Popullsia banuese sipas Censeve (Foto Gazeta Telegraf)

Popullsia banuese sipas Censeve (Foto Gazeta Telegraf)

Këtë shifër politikëbërësit e kanë të mjatueshme, për të analizuar pse qytetarët janë larguar. Cilat janë problemet që ata kanë pasur? Çfarë nuk kemi bërë mirë si qeveri? Nuk i kemi çuar shërbimet tek qytetarët? Nuk i kemi përfaqësuar ata si duhet? Ose gjetje të tipit: cila grupmoshë është larguar më shumë? Nuk i kemi çuar arsimin, shëndetësinë, etj.? Politikëbërja këta tregues i ka të mjaftueshëm, për ta bërë këtë analizë.

Nga ana tjetër, sipas Censit 2023, 1/3 e banesave është bosh. Pra, këto banesa nuk kanë njerëz brenda. Kjo do të thotë që për ekonominë, ato banesa nuk po prodhojnë asgjë.

Ne duhet të shikojmë se çfarë strategjish mund të përgatisim, që qytetarët t’i bëjmë më incentivues. Në mënyrë që ata të rikthehen dhe të shfrytëzojnë banesat e tyre.

Një elemet tjetër që doli nga Censi ishte braktisja e zonave rurale. Ka shumë shkaqe, por duhen analiza të thelluara, për t’i dhënë zgjidhje se çfarë ka munguar, që qytetarët kanë braktisur zonat e tyre.  Për shembull, ka  qenë sistemi i vadidjes dhe i kullimit? E kështu me rradhë.

Nëse fermeret nuk kanë akses për këto shërbime, atëhere politika duhet të orientojë dhe të prodhojë masa, për zhvillimin e këtyre zonave.  Nëse në disa zona nuk kanë shkolla, apo turizmi lokal ka vështirësi, atëhere pushteti vendor atje duhet të punojë më shumë për infrastrukturën lokale, që qytetarët të jetojnë më afër me pronat e tyre, me kapitalin e tyre.

CMG: Treguesit e Censit 2023 dëshmuan që popullsia jonë sot ka një moshë mesatare të shtuar dukshëm, nga 35 vjeç mosha mesatare në vitin 2011, në 42 vjeç në vitin 2023. A mund të shërbejë ky tregues si një këmbanë alarmi për qeverinë në të gjitha nivelet, për të nxitur shtimin e familjeve me shumë fëmijë dhe për të provuar të mbajmë në Shqipëri të rinjtë dhe profesionistët?

Agron Haxhimali: Pa diskutim, në qendër të të dhënave të Censit 2023 ishte jo vetëm rrudhja, por edhe plakja e popullsisë.

Me këto ritme, ne jemi ndër ato 4 apo 5 vende që e kanë më të shpejtë këtë lloj plakje të popullsisë në kontinentin tonë.

Ky nuk është lajm i mirë jo vetëm për politikën, por edhe për të gjithë shoqërinë shqiptare. Duhet që qeveria dhe të gjitha institucionet të bashkojnë vullnetet e tyre, pa i ndarë nga ngjyrimet partiake e politike.

Duhet të mendojmë se si të ndihmojmë familjet e reja në zonat rurale. Cila do të ishte politika më e mirë për bonuset për çdo lindje, për përpunimin e tokës bujqësore, për shëndetësinë, etj.

E rëndësishme është që ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si i qasemi qytetarit në shërbimet ndaj tij. Ne duhet të krijojmë një sistem, që të vendosim mekanizma për të zgjidhur problemet e tyre, dhe jo për të vendosur terminale fundore aty ku shpresa e tyre është në pikën e fundit dhe vendimarrja e qytetarit për jetën e tij është shumë e vështirë.

Ne duhet të prodhojmë politika inovatore, duhet të jemi më shumë evropianë. E kemi në dorë dhe mund ta bëjmë më atraktive jetën për ne që jetojmë këtu, por edhe për ata që janë larguar dhe kërkojnë të rikthehen.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli