Censi 2023 është projekti për regjistrimin e popullsisë që u zhvillua në Shqipëri në muajt shtator-nëntor 2023. Nga regjistrimi rezulton se në Shqipëri jetojnë 2.412,113 banorë, konkretisht 755,950 familje, me madhësi 3.2 anëtarë. Sipas të dhënave të INSTAT, mbi 1 milion llogaritet të jetë numri i banesave në Shqipëri. Censi kryhet një herë në 10 vjet dhe synon t’i sigurojë Parlamentit, qeverisë, autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile një informacion të besueshëm statistikor i nevojshëm për planifikimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, për kërkime shkencore, si dhe për të kuptuarit të realitetit demografik, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Bardhi Sejdarasi, analist dhe anëtar i Keshillit Kombetar te Statistikave flet për Grupin Mediatik të Kinës rreth historikut të Censit në Shqipëri, procesit të regjistrimit, të dhënat e rëndësishme të Censit të fundit.
Analisti Bardhi Sejdarasi në intervistë për CMG
CMG: Jeni analist i njohur dhe kemi zhvilluar në këtë studio një sërë intervistash për ekonominë shqiptare dhe të huaj, për zhvillimet gjeoekonomike, ndikimin e tyre në jetën sociale. Kësa radhe keni ardhur në cilësinë e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Statistikave, që është pjesë e Institutit të Statistikave, që së fundmi ka publikuar të dhënat e Censit 2023. Çfarë përmban ky funksion?
Bardhi Sejdarasi: Qeveria shqiptare i propozon Kuvendit të Shqipërisë një numër të caktuar anëtarësh nga të gjitha fushat dhe pas një dëgjese në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, votohet në seancë plenare me shumicë votash për vendin e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Statistikave. Ky këshill është një lloj bordi administrativ që mbikqyr Institutin e Statistikave dhe në të bëjnë pjesë personalitete të njohura të fushave të ndryshme, ndër ta dhe akademikë. Ata mbikqyrin dhe kontrollojnë respektimin e ligjit sa i përket kësaj agjencie shumë të rëndësishme shtetërore siç është INSTAT.
HIQET 02:30-03:00
CMG: Ky është Censi i tretë i kryer në Shqipëri pas viteve 90-të. Çfarë është Censi dhe cili është historiku i tij në Shqipëri?
Bardhi Sejdarasi: Më së pari po e quaj procesin regjistrimi i popullsisë dhe banesave sepse është e njejta gjë me Censin. Është një nga aksionet më të rëndësishme për të gjitha institucionet që merren me regjistrimin, në rastin konkret institutet e statistikave. Realizohet sipas një standardi të mirëpërcaktuar nga OKB dhe në Bashkimin Europian ndodhet zyra, e cila orienton të gjitha shtetet anëtare të OKB-së që të kenë të njejtin pyetësor dhe treguesit që më pas analizohen nga institucionet ndërkombëtare.
Ky është Censi apo regjistrimi i 12-të i popullsisë së Shqipërisë, 3 nga të cilët janë kryer pas viteve 90-të dhe është aksioni më i rëndësishëm statistikor. Ky regjistrim i popullsisë dhe banesave, por edhe një sërë elementësh të tjerë janë pikënisje për pilitikëbërësit. Realisht bëhet një “fotografim” i të dhënave.
CMG: Në rastin konkret kemi të bëjmë vetëm me regjistrimin e popullsisë dhe banesave?
Bardhi Sejdarasi: Jo. Kemi të bëjmë me çdo gjë që përfshihet në statistika. Sipas planit të OKB-së u raportuan vetëm treguesit e parë. Popullsia dhe banesat janë një tregues i ndjeshëm sepse njerëzit janë kuriozë të dinë se sa janë. Ndërkohë priten të dalin dhe module të tjera të Censit në tetor dhe deri në fund të nëntorit do të dalin module shumë të rëndësishme, që lidhen me punësimin dhe papunësinë. Paralelisht me to është duke filluar një regjistrim tjetër i ri që ka të bëjë me bujqësinë.
CMG: Bëhet fjalë për Censin e bujqësisë
Grafik i Censit (Foto Instat)
Bardhi Sejdarasi: Po. Të gjitha regjistrimet që bëhen, pavarësisht se në metodologjinë e Institutit të Statistikave, ashtu si dhe nëpër botë bëhen llogaritje vit për vit, siç nxjerrin ne në çdo janar numrin e popullsisë bazuar në përllogaritjet e bëra, ndërsa sipas regjistrimit bëhet një herë në 10 vjet. Në Shqipëri ky Cens duhet të ishte bërë 2 vjet më parë, por u shty për shkak të kushteve të krijuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe më pas pandemia Covid 19.
Treguesit e dalë në qershor 2024 janë një “ fotografim” i datës 18 shtator 2023 sepse kështu njihet zyrtarisht regjistrimi, sepse është dita kur ka startuar Censi. Pyetësori i Censit është i një standardi ndërkombëtar, që e menaxhon Organizata e Kombeve të Bashkuara.
CMG: Kemi të bëjmë me një regjistrim që kryhet çdo 10 vjet dhe synimi i regjistrimit është që t’i ofrojë Parlamentit të Shqipërisë, në rastin konkret, qeverisë por dhe të gjitha autoriteteve lokale dhe shoqërisë shqiptare informacionin e besueshëm statistikor. Ky është një informacion të cilit i referohen të gjithë.
Bardhi Sejdarasi: Patjetër. Këtë informacion të gjithë aktorët që janë në treg janë të detyruar ta marrin për të nxjerrë konkluzione referuar shifrave konkrete. Treguesit që dalin nga Censi orientojnë pothuajse të gjithë politikëbërësit, por dhe studjuesit do të kenë mundësi që në fund të muajit nëntor, pasi të bëhen publike të gjitha shifrat të hulumtojnë dhe analizojnë çdo shifër, për të parë se çfarë mungon, çfarë politikash janë të gabuara, çfarë politikash të reja duhet të hartohen nga qeveria apo parlamenti, me qëllim që t’i shërbehet popullsisë së regjistruar
CMG: Tema e Censit 2023 është trajtuar gjerësisht nga kolegët tanë sepse është interesante. Na tërheqin vemendjen fillimisht shifrat për të ndërtuar më pas analizat.
Vemë re në shifrat e publikuara të këtij Censi rënien e numrit të popullsisë, por dhe probleme të tjera sociale, të cilat më pas nga politikëbërësit, por jo vetëm, do të fillojnë të trajtohen, duke u marrë masa përmes ligjeve përkatëse dhe hartimit të politikave zhvillimore. Në rastin konkret, Censi në qendër të tij ka një pyetësor. Ku konsiston ai, cilat janë elementet kryesore të tij, por dhe rregullat të cilave duhet t’u përmbaheshin qytetarët?
Bardhi Sejdarasi: Së pari, Censin e udhëheq agjencia pjesë e OKB-së. Formulari për pyetjet që u drejtohen qytetarëve është standard, i njejtë në të gjithë botën. Të gjithë treguesit që kemi sot, që nga ata demografikë, të banesave e të tjerë duhet të jenë pjesë e parashikimit të lëvizjeve që i ndodhin popullsisë. Censi mbikqyret nga OKB, si dhe financimet për të bëhen jo vetëm nga qeveria shqiptare, por dhe nga qeveria zvicerane dhe suedeze dhe rreth 8 mijë persona u angazhuan për të realizuar këtë regjistrim, pas një trajnimi 2 mujor. Ndërkohë mbikqyrja hap pas hapi nuk është çeshtje vetëm e institucionit shqiptar INSTAT, por e të gjithë aktorëve që janë pjesë e këtij projekti.
Në të gjithë botën Censi quhet aksioni më i madh statistikor, analiza më e madhe që bëhet për të nxjerrë tregues realë, të matshëm, sepse për të dhënat është pyetur në terren. Deri në këtë pjesë të Censit kemi vetëm dy tregues, regjistrimin e popullsisë dhe të banesave, por deri në fund të muajit nëntor gjatë gjithë kohës do të kemi njoftime zyrtare periodike të INSTAT-it shoqëruar me tabelat dhe grafikët respektivë për të parë statistikat shqiptare, të cilat janë të detyruar t’i përdorin të gjithë.
Publikimi i Censit (Foto Instat)
CMG: Ky regjistrim është një proces. Si do të verifikohet më pas? A mbyllet puna me publikimin e disa të dhënave, siç ndodhi në fund të qershorit, apo INSTAT ka vijimësi të procesit, duke matur dhe cilësinë e tij?
Bardhi Sejdarasi: Ligji e detyron INSTAT-in që regjistrimin e popullsisë apo deklarimin e numrit të shtetasve ta bëjë çdo janar të vitit dhe nuk e mbyll regjistrimin, por bëhet një përllogaritje sipas një metodologjie tjetër, jo sipas pyetësorëve.
Çdo janar do të gjeni në faqen zyrtare të INSTAT-it numrin e popullsisë por dhe një sërë treguesish të tjerë. INSTAT realizon anketa të ndryshme, ndër to është dhe Anketa e Familjes, por dhe të tjera që grumbullohen për të verifikimin nga matja e bërë me një analizë konkrete. Të gjithë ata që janë pjesë e këtij procesi dhe më pas ata që i përdorin shifrat janë të detyruar t’i marrin ato për të analizuar më pas se pse ka rënie të popullsisë, pse ka ndryshim demografik dhe rritje të moshës mesatare. Që nga momenti i publikimit merren të dhënat sipas grupeve të caktuara dhe analistëve dhe me rëndësi është pasja e një database, ku mund të lexojmë deklarimet e qytetarëve.
Është një deklarim privat dhe çdokush ka deklaruar përmes pyetësorit atë që ka dashur sa i përket etnisë, besimit fetar, pa qenë e detyruar nga askush. Mbi bazën e këtij vetëdeklarimi janë përpunuar të dhënat me një sistem modern sivjet, nëpërmjet tabletave, në ndryshim të kutive që u përdorën në Censin e parafundit në 2011.
E rëndësishme është se kemi shifra konkrete të dala nga një regjistrim zyrtar.
CMG: Këto shifra do të jenë të vlefshme edhe për botën akademike, në universitete për studiues të veçantë që i përdorim këto të dhëna si referencë të shkrimeve të tyre.
Bardhi Sejdarasi: Shifrat janë bërë publike dhe EUROSTAT, institucioni europian i statistikave i ka të gjitha shifrat e Shqipërisë dhe bën analizat e veta. Para pak ditësh ka dalë raporti i vitit 2024 i këtij institucioni, i cili krahason të dhënat e Shqipërisë me rajonin, për shembull për emigracionin, punësimin etj.
Veçanërisht akademikët, kërkuesit shkencorë pas muajit nëntor kur përfundon deklarimi i të gjitha të dhënave kanë akses të plotë që të bëjnë më pas analiza të plota dhe të sakta që i shërbejnë politikëbërjes.
Regjistrimi i popullsisë dhe banesave apo i çdo produkti tjetër nuk është një çeshtje vetëm statistikore, por mbi bazën e këtyre shifrave zyrtare dhe të sakta ke argumente që të debatosh me këdo. Jo të gjithë janë dakord me shifrat e publikuara të Censit, qoftë për numrin e popullsisë prej 2.4 milion, ku disa thonë se është më shumë apo të tjerë më pak, por shifrat e Censit përbëjnë bazën mbi të cilën bëhen analizat.
Elementet e tjerë konsultohen dhe me rajonin për të parë nëse ka një trend në rritje të emigracionit, apo të plakjes së popullsisë, duke u bërë pjesë e një analize
CMG: Cilat ishin pikat fokale të Censit 2023, pasi nuk mund t’i quajmë risi për shkak të pyetësorëve të njejtë, që vetëm përditësohen?
Bardhi Sejdarasi: Risia e vetme është teknologjia moderne dhe raportimi ishte në kohë reale, online ku të dhënat kalonin direkt në sistem
CMG: Kjo ndikon në cilësinë e procesit
CENSI-2023 në Shqipëri (Foto Balkanweb)
Bardhi Sejdarasi: Po patjetër dhe është pranuar nga të gjithë. Shqipëria është vlerësuar me notë maksimale sa i përket këtij procesi.
CMG: Opinioni publik shqiptar cilat pika të Censit 2023 ka parë si më të ndjeshme?
Bardhi Sejdarasi: Ato që përbëjnë gjithmonë debat. Që nga viti 1979 e më pas ato që kanë krijuar debat janë çeshtje të cilat lidhen me fenë dhe etnicitetin. Pozitive në Censin 2023 është se vetëm 6 për qind e të pyeturve nuk kanë pranuar që të përgjigjen, në ndryshim nga 24.5 për qind që kanë qenë në Censin e parafundit. Njerëzit janë më bashkëpunues dhe nuk e kanë më dilemën e deklarimit të të dhënave dhe numrat tashmë janë të përcaktuar sipas vetëdeklarimit. Ka shumë probleme sociale që nga plakja e popullsisë, largimi nga vendi i të rinjve, jo vetëm për shkak të emigracionit, por dhe të uljes së lindshmërisë sepse sipas të dhënave aktualisht numri i anëtarëve të familjes është 3.2 një shifër shumë e ulët krahasuar me shifrat e mëparshme.
CMG: Kjo tregon se shoqëria shqiptare si shoqëritë e tjera europiane përballet me të njejtat probleme sociale. Një element pozitiv në Censin 2023 është se mbi 204 mijë banorë në Shqipëri janë me Master.
Bardhi Sejdarasi: Në kapitullin e arsimit në Cens ka shumë të dhëna interesante dhe nëpërmjet të dhënave kuptojmë se a është sistemi ynë arsimor i përshtatshëm, por dhe si duhet përmirësuar ai, në mënyrë që nxënësit shqiptarë të zgjedhin institucionet tona arsimore dhe të mos largohen nga vendi për të studiuar jashtë.
Intervistoi Eda Merepeza