NATO-ja publikoi të mërkurën "Deklaratën e Samitit të Uashingtonit", ku akuzoi Kinën se “ka vazhduar të sfidojë interesat, sigurinë e vlerat e NATO-s” dhe “është bërë një mbështetëse vendimtare e luftës së Rusisë në Ukrainë”, duke shtuar kërcënimin që përbën Rusia ndaj vendeve fqinje dhe sigurisë euroatlantike. Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Lin Jian vuri në dukje të enjten në një konferencë shtypi se, për çështjen e Ukrainës, spekulimet e NATO-s për të ashtuquajturën "përgjegjësi e Kinës" janë të pabaza dhe keqdashëse. “Deklarata i zmadhon tensionet në rajonin e Azi-Paqësorit dhe është plot me mendësi të Luftës së Ftohtë dhe retorikë lufte. Përmbajtjet lidhur me Kinën janë plot paragjykime, shpifje e provokime, gjë për të cilën Kina ka shprehur pakënaqësi dhe kundërshtim të fortë, duke i paraqitur demarsh serioz NATO-s”, tha zëdhënësi.
Zëdhënësi i MPJ-së Lin Jian(Foto:VCG)
Konflikti Rusi-Ukrainë ka zgjatur për gati dy vjet e gjysmë. Gjithnjë e më shumë njerëz e kanë kuptuar se, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, zgjerimi i vazhdueshëm i NATO-s drejt Lindjes nën udhëheqjen e ShBA-së, duke tkurrur hapësirën e sigurisë të Rusisë, është shkaku kryesor i këtij konflikti. Gjithashtu, shumë analistë kanë vënë në dukje se NATO-ja synon ta shndërrojë këtë konflikt në një luftë afatgjatë. Por, me zgjatjen e konfliktit, Evropa po paguan një çmim të lartë në fushat politike, ekonomike, të sigurisë etj. Kështu që, nga perspektiva gjeopolitike, nëpërmjet kësaj lufte, ShBA-ja e ka dobësuar Rusinë, duke e mbajtur gjithashtu fort Evropën nën kontrollin e saj.
Tani, duke e lidhur Kinën me Rusinë, NATO-ja, nën udhëheqjen e ShBA-së, po përpiqet të zmadhojë të ashtuquajturin "kërcënim nga Kina", të përbaltë imazhin e Kinës në opinionin publik ndërkombëtar, të krijojë mosmarrëveshje midis Kinës e Evropës dhe të sabotojë bashkëpunimin kino-europian, duke gjetur justifikime për promovimin e një versioni të NATO-s në Azi-Paqësor.
Para këtij samiti, NATO-ja shpesh e ka kritikuar dhe kërcënuar Kinën dhe i ka paraqitur në mënyrë të shtrembëruar lidhjet normale ekonomiko-tregtare midis Kinës e Rusisë, duke shpifur se Kina i po ofron Rusisë mbështetje ushtarake, megjithatë, deri tani nuk ka qenë në gjendje të paraqesë prova. Madje kreu i ushtrisë amerikane e pranoi se Kina nuk i ka dhënë ndihmë ushtarake Rusisë.
Foto:VCG
Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, Kina nuk është as krijuese dhe as pjesëmarrëse e krizës në Ukrainë. Pozicioni i Kinës për krizën e Ukrainës është promovimi i bisedimeve të paqes dhe zgjidhjes politike, gjë që është njohur dhe vlerësuar gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.
Pas shpërthimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, Kina nuk i ka ofruar kurrë armë vdekjeprurëse asnjë pale në konflikt dhe gjithmonë ka kontrolluar rreptësisht eksportin e artikujve me përdorim të dyfishtë, ushtarak dhe civil. Kina është gjithmonë e mendimit se duhet të respektohen sovraniteti e tërësia territoriale e të gjitha vendeve, si edhe qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, duhet të merren parasysh seriozisht shqetësimet e arsyeshme të sigurisë të të gjitha vendeve dhe duhet të mbështeten të gjitha përpjekjet që kontribuojnë për zgjidhjen paqësore të krizës.
Që nga viti i kaluar, qeveria kineze ka dërguar tre herë përfaqësuesin e vet të posaçëm mbi çështjet euroaziatike për të kryer ndërmjetësim diplomatik mbi nxitjen e bisedimeve të paqes. Në maj të këtij viti, Kina dhe Brazili shpallën së bashku një "konsensus prej gjashtë pikash" në Pekin për promovimin e një zgjidhjeje politike për krizën e Ukrainës, duke theksuar tre parimet, përkatësisht moszgjerimin e fushëbetejës, mospërshkallëzimin dhe mosnxitjen e luftës, të cilat deri tani kanë gjetur reagim pozitiv nga më shumë se 100 vende të botës. Pala kineze inkurajon dhe mbështet të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës dhe është e gatshme të luajë një rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm për t'i dhënë fund krizës.
Foto:VCG
"Në gjuhën kineze ka një fjalë që urtë që thotë se krijuesi i problemit është edhe zgjidhësi i tij. Uashingtoni dhe NATO-ja duhet të ndalojnë fajësimin e të tjerëve dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të zbutur situatën. Siç e ka theksuar Kina, vetëm kur të gjitha fuqitë e mëdha të ushtrojnë energji pozitive në vend të energjisë negative, konflikti ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës mund të shohë agimin e një armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur,” përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)