Foto nga Xinhua
Të premten pasdite, Presidenti Xi Jinping u takua në Pekin me Kryeministrin e Ishujve Solomon, Jeremiah Manele, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kinë.
Xi Jinping theksoi se Kina i konsideron Ishujt Solomon një mik, partner dhe vëlla të mirë. Kina mbështet Ishujt Solomon në rrugën e zhvillimit që përputhet me kushtet e saj kombëtare, duke ruajtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit. Kina është e gatshme të forcojë komunikimin strategjik me Ishujt Solomon, të mbështesë në mënyrë të vendosur interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore reciproke, të promovojë ndërtimin e përbashkët të nismës "Një brez, një rrugë" që lidhet me strategjinë e zhvillimit të Ishujve Solomon, si edhe të thellojë bashkëpunimin në zhvillimin rural, shërbimet mjekësore, infrastrukturë, zhvillimin e qëndrueshëm, përballimin e ndryshimeve klimatike etj. Palët do të punojnë për të ndërtuar bashkësinë e fateve të përbashkëta Kinë-Ishujt Solomon në epokën e re, për sa më tepër përfitime për popujt e dy vendeve.
Xi Jinping tha se Kina i përmbahet një politike të jashtme të pavarur për paqen dhe propozon që të gjitha vendet të jenë të barabarta. Bashkëpunimi miqësor i Kinës me Ishujt Solomon dhe vendet e tjera ishullore të Paqësorit, i ndihmon vendet ishullore të arrijnë zhvillimin, nuk synon palët e treta ose kërkon përfitime personale. Kina është e gatshme të vazhdojë të ofrojë ndihmë për Ishujt Solomon për të arritur zhvillimin, duke forcuar koordinimin dhe bashkëpunimin në institucionet shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara dhe Forumin e Ishujve të Paqësorit, si dhe duke ruajtur interesat e përbashkëta të vendeve në zhvillim.
Manele tha se udhëtimi i tij filloi në Fujian, ku ndjeu thellësisht arritjet e mëdha të Kinës në zhvillim dhe potencialin e madh dhe perspektivat e gjera të bashkëpunimit midis Kinës dhe Ishujve Solomon. Falë pjesëmarrjes në nismën“Një brez, një rrugë”, Ishujt Solomon kanë bërë përparime të rëndësishme në infrastrukturë dhe fusha të tjera. Ishujt Solomon zbatojnë me vendosmëri parimin e një Kine, kundërshtojnë me vendosmëri "pavarësinë e Tajvanit" në çdo formë, mbështesin të gjitha përpjekjet e bëra nga qeveria kineze për të arritur ribashkimin kombëtar. Ato shpresojnë të thellojnë më tej marrëdhëniet e partneritetit strategjik gjithëpërfshirës midis ishujve Solomon dhe Kinës dhe të ndërtojnë bashkësinë e fateve të përbashkëta Kinë-Ishujt Solomon. (Çang Çuo)