Foto nga VCG
Ministria e Tregtisë e Kinës tha të enjten se faktet dhe rregullat janë dy "shtyllat" kryesore për konsultimet e vazhdueshme midis Kinës dhe Bashkimit Evropian, në lidhje me hetimin ndaj subvencioneve të BE-së për automjetet elektrike kineze (EV).
"Faktet duhet të jenë objektive dhe të njohura reciprokisht nga të dyja palët, në vend që të përcaktohen në mënyrë të njëanshme," tha zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë së Kinës, He Yongqian.
"Shpresojmë që pala evropiane të përballet me faktin se avantazhi konkurrues i Kinës në EV nuk vjen nga subvencionet. Bashkëpunimi Kinë-BE në industrinë e automjeteve është i favorshëm për zhvillimin e përbashkët. Industria e BE-së i kundërshton masat proteksioniste tregtare," tha zëdhënësi, duke i kërkuar Bashkimit Europian të marrë vendime të arsyeshme dhe objektive, të bazuara në fakte dhe rregulla.
Kina e ka deklaruar tashmë qëndrimin e saj për arritjen e një zgjidhjeje reciprokisht të pranueshme, për mosmarrëveshjen tregtare që përfshin automjetet elektrike kineze të eksportuara në BE.
Më 4 korrik, Komisioni Evropian deklaroi tarifa shtesë të përkohshme deri në 37.6% për prodhuesit kinezë të EV.
Tarifat, të kritikuara gjerësisht si proteksioniste, kanë nxitur kundërshtimet e Kinës dhe kanë shkaktuar shqetësime të gjëra mbi kostot në rritje për konsumatorët në Bashkimin Europian dhe përpjekjet globale drejt tranzicionit të gjelbër.
Ministria e Tregtisë e Kinës nisi të mërkurën një hetim ndaj pengesave të tregtisë dhe investimeve, mbi praktikat përkatëse të miratuara nga BE, në hetimet e saj ndaj subvencioneve të huaja. (Çang Çuo)