Foto nga VCG
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (UNGA) miratoi të enjten një rezolutë që kërkon nga Rusia "të tërheqë urgjentisht personelin e saj ushtarak dhe personelin tjetër të paautorizuar" nga termocentrali bërthamor i Ukrainës në Zaporizhzhia dhe ta kthejë atë nën kontrollin e plotë të autoriteteve ukrainase.
Asambleja prej 193 anëtarësh miratoi rezolutën me 99 vota pro, 9 kundër dhe 60 abstenime. Rusia votoi kundër draftit. Brazili, Kina, India dhe Afrika e Jugut abstenuan.
Pas votimit, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, Fu Cong, theksoi gjykimin e pavarur të Kinës për këtë çështje dhe angazhimin e saj të gjatë për një zgjidhje politike të krizës ukrainase.
Fu përsëriti kundërshtimin e Kinës për sulmet e armatosura ndaj termocentraleve dhe objekteve të tjera paqësore bërthamore, duke u kërkuar të gjitha palëve të ushtrojnë vetkontroll, t'u përmbahen parimeve humanitare ndërkombëtare dhe normave të racionalitetit shkencor.
"Kina beson se armëpushimi dhe kërkimi i një zgjidhjeje politike i shërben interesave të të gjitha palëve," tha Fu.“Fokusi ynë i menjëhershëm duhet të jetë parandalimi i përshkallëzimit si edhe krijimi i kushteve të favorshme për dialog dhe negociata të drejtpërdrejta”.
Fu shprehu zhgënjim ndaj dështimit të rezolutës për t'i dhënë përparësi dialogut dhe negociatave ose për të adresuar shqetësimet themelore të sigurisë evropiane.
"Projekt-rezoluta nuk theksoi urgjencën e nxitjes së dialogut dhe të kërkimit të një zgjidhjeje politike. As nuk theksoi nevojën për të adresuar rrënjësisht çështjet e sigurisë evropiane dhe për të ndërtuar një arkitekturë sigurie të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme," vuri në dukje ai, duke sqaruar vendimin e Kinës për të abstenuar.
Kina ka mbrojtur vazhdimisht respektimin e sovranitetin kombëtar, integritetin territorial dhe parimet e mishëruara në Kartën e OKB-së në zgjidhjen e çështjes së Ukrainës, shtoi Fu. Ai theksoi se Kina nuk ka asnjë interes personal në këtë çështje dhe vazhdon të luajë një rol konstruktiv në promovimin e një zgjidhjeje politike.(Çang Çuo)