Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i bëri thirrje Holandës të mbështesë së bashku me Kinën tregtinë e lirë, duke ruajtur gjithashtu qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit.
Foto:VCG
Gjatë një telefonate të enjten me homologun e vet të ri holandez Caspar Veldkamp, Wang hodhi poshtë gjithashtu komentet e fundit për Kinën në samitin e NATO-s në Uashington, duke thënë se ndryshimet në sistemet politike dhe konceptet e vlerave midis Kinës dhe vendeve anëtare të Aleancës nuk duhet të përdoren si arsye që NATO-ja të nxisë kundërvënien ndaj Kinës.
Sipas tij, Kina u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve të saj me Holandën dhe është e gatshme të krijojë kontakte të ngushta me qeverinë e re holandeze dhe të ketë dialog të gjithanshëm për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë.
Kreu i diplomacisë kineze vuri në dukje më tej gjatë telefonatës me ministrin e ri të Jashtëm holandez se Kina e mbështet procesin e integrimit evropian, e gjithashtu edhe zhvillimin, rritjen dhe pavarësinë strategjike të Bashkimit Evropian. “Besoj se Holanda do ta inkurajojë palën evropiane që ta shohë Kinën në mënyrë objektive e të arsyeshme dhe do të luajë një rol konstruktiv në ruajtjen e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-evropiane”, shtoi Wang.
Ai tha se Kina nuk i pranon akuzat pa bazë ndaj saj, duke theksuar se Kina është një vend i madh me të dhënat më të mira në botë për çështjet e paqes e të sigurisë dhe ka qenë gjithmonë një forcë për paqen dhe qëndrueshmërinë në bashkësinë ndërkombëtare.
“NATO-ja duhet të qëndrojë brenda kufijve të saj dhe të mos ndërhyjë në punët e Azi-Paqësorit apo ato të Kinës dhe të mos sfidojë të drejtat dhe interesat e ligjshme të Kinës”, tha Wang.
Kryediplomati kinez bëri thirrje për dialog, mirëkuptim e besim të ndërsjellë për të shmangur gjykimet e gabuara strategjike, duke theksuar se Kina është e gatshme të mbajë kontakte me NATO-n bazuar në barazinë dhe respektin e ndërsjellë.
Foto:VCG
Veldkamp vuri në dukje nga ana e tij se marrëdhëniet aktuale Holandë-Kinë janë të forta dhe me gjallëri.
Ai tha se Kina është një fuqi e rëndësishme globale dhe partnerja kryesore ekonomiko-tregtare e Holandës në Azi, duke shtuar që të dyja palët duhet dhe mund të angazhohen në bashkëpunim me leverdi të ndërsjellë mbi një gamë të gjerë çështjesh dypalëshe dhe shumëpalëshe.
Përballë situatës ndërkombëtare me luhatje, Holanda nuk mbështet "shkëputjen" prej Kinës dhe është e gatshme të mbajë komunikimin me Kinën për të zhvilluar marrëdhënie pragmatike dypalëshe, theksoi Veldkamp.
Marrëdhëniet BE-Kinë janë thelbësore dhe dallimet nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin, tha ai, duke shtuar që Holanda mbështet zhvillimin e një marrëdhënieje konstruktive BE-Kinë për të mirën e njerëzve në mbarë botën.
NATO-ja është e përkushtuar për të ruajtur sigurinë e shteteve të saj anëtare dhe do të jetë gjithmonë një organizatë mbrojtëse, shtoi ministri i jashtëm holandez.
Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për çështje ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët.(Zhang Yan/Artan)