Dy raporte kontrolli vërtetojnë dëmtimin ekologjik në Detin e Kinës Jugore nga Filipinet
2024-07-11 15:31:16

Kina publikoi ditët e fundit dy raporte mbi Detin e Kinës Jugore, përkatësisht 'Raporti i hetimit dhe vlerësimit të mjedisit ekologjik të ujërave detare të ishullit Huangyan' dhe 'Raporti i hetimit mbi shkatërrimin e ekosistemit të koralëve nga anija luftarake filipinase e ankoruar ilegalisht në ujërat e gumës Ren'ai'.

Foto:VCG

Ishulli Huangyan(Foto:VCG)

Në bazë të studimeve tekniko-shkencore, raportet zbuluan se cilësia mjedisore e zonës detare të ishullit Huangyan nën përkujdesjen e Kinës është e shkëlqyer dhe ekosistemi i shkëmbinjve koralorë është i shëndetshëm. Ndërkohë, ekosistemi i shkëmbinjve koralorë në gumën Ren'ai është dëmtuar rëndë, kryesisht për shkak të anijes luftarake filipinase të ankoruar atje dhe aktiviteteve njerëzore të lidhura me të.

Nga të dhënat e sensorimit satelitor dhe hetimeve në terren, Kina zbuloi se anija luftarake filipinase, e cila qëndron prej 25 vjetësh në mënyrë të paligjshme në gumën Ren'ai, ka dëmtuar seriozisht shumëllojshmërinë, qëndrueshmërinë dhe vazhdueshmërinë e ekosistemit të shkëmbinjve koralorë. Sipërfaqja e shkëmbinjve koralorë atje është dëmtuar ndjeshëm. Dëmtimi është veçanërisht i dukshëm rreth anijes. Pranë anijes u gjet një sasi e madhe shkëmbinjsh koralorë të dëmtuar dhe trupa koralorë të ngordhur. Niveli i metaleve të rënda, vajrave dhe fosfateve aktive në ujërat përkatëse është shumë më i lartë krahasuar me të shkuarën. Rreth gumës gjenden shumë mbeturina të krijuara nga aktivitetet e njeriut. Të gjithë këto vërtetojnë se anija ushtarake filipinase dhe ekuipazhi në të janë fajtorët kryesorë.

Foto:VCG

Anija luftarake filipinase, e cila qëndron prej 25 vjetësh në mënyrë të paligjshme në gumën Ren'ai(Foto:VCG)

Foto:Xinhua

Shkëmbinj koralorë të prishur në ujërat rreth gumës Ren'ai(Foto:Xinhua)

Nga ana tjetër, cilësia e ujrave dhe sedimentit detar të ishullit Huangyan nën përkujdesjen e Kinës, i përkasin të gjitha kategorisë së parë. Sasitë e metaleve të rënda, hidrokarbureve të naftës dhe ndotësve të tjerë në mostrat e peshkut që rriten atje, janë brenda kufirit të standardit të vlerësimit. Ekosistemi në ishullin Huangyan është i shëndetshëm, ndaj shumëllojshmëria e specieve detare ruhet mirë. Me një fjalë, “shëndeti” i ekosistemit në ishullin Huanyan mund të krahasohet me atë të Barrierës së Madhe Koralore në Australi.

Ishulli Huangyan me ekosistem të shëndetshëm(Foto:VCG)

Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, rezultatet e hetimeve reflektojnë përpjekjet e Kinës në mbrojtje të mjedisit ekologjik detar. Në dekadat e kaluara, Kina ka punuar shumë për të mbrojtur mjedisin detar në Detin e Kinës Jugore, qoftë në përpilimin dhe zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve, ashtu edhe në kërkimin shkencor dhe restaurimin ekologjik, madje dhe në pjesëmarrjet e bashkëpunimeve ndërkombëtare apo përfshirjen e banorëve vendas. Që nga viti 1999, Kina ka përcaktuar periudhat dhe zonat për ndalimin e peshkimit në Detin e Kinës Jugore. Ajo ka kryer një sërë projektesh për restaurimin ekologjik të shkëmbinjve koralorë në ujërat përkatëse. Deri tani ka mbjellë dhe restauruar me sukses afërsisht 300.000 metra katrorë shkëmbinj koralorë. Në të njëjtën kohë, ajo ka krijuar partneritet për mbrojtjen detare me Bashkimin Evropian, ASEAN-in, vendet ishullore të Paqësorit, të Arktikut dhe të Amerikës së Jugut, për të kontribuuar në mbrojtjen e Detit të Kinës Jugore dhe të ekologjisë detare globale.

Nga ana tjetër, Filipinet janë përfshirë shpesh në shkatërrimin ekologjik dhe peshkimin e paligjshëm në Detin e Kinës Jugore, duke krijuar dëme ekologjike. 

Në vitin 2021, një studim i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar tregoi se 27%-40% e peshkimit të Filipineve në 2019 u zhvillua në mënyrë të paligjshme. Më shumë se 420.000 tonë peshk në vit, të kapur nga tregtarët peshkatarë filipinas nuk u raportuan fare. Për më tepër, Filipinet njihen globalisht si vendi me rastet më të rënda të peshkimit me cianid, duke qenë gjithashtu zbatuesi më i hershëm i këtij lloj peshkimi.

Ishulli Huangyan me ekosistem të shëndetshëm(Foto:VCG)

Ishulli Huangyan me ekosistem të shëndetshëm(Foto:VCG)

Faktet flasin qartë kush është shkatërruesi i mjedisit ekologjik të Detit të Kinës Jugore. Kërkesa e Kinës ndaj Filipineve për tërheqjen e anijes luftarake të paligjshme në Ren'ai, është jo vetëm e drejtë për të mbrojtur sovranitetin e interesat e saj të ligjshme, por edhe e përgjegjshme për ruajtjen e mjedisit detar nëpërmjet parandalimit të krijimit të dëmeve të mëtejshme.

Filipinet duhet të reflektojnë për veten e tyre. Ato duhet të ndryshojnë rrugën e nisur. Të largojnë sa më parë anijen luftarake të ankoruar ilegalisht, dhe të eliminojnë burimin e ndotjes, për të shmangur dëmtimin e vazhdueshëm të mjedisit ekologjik të gumës Ren'ai. 

“Çështjet e mbrojtjes së mjedisit detar lidhen me mirëqenien njerëzore. Çështja e Detit të Kinës Jugore nuk duhet të kthehet në mjet politik nga ndonjë vend, për të nxitur konfrontimin gjeopolitik, në shërbim të interesave të tyre egoiste”, përfundon komenti. (Zhang Yan/Elona)