Problematikat në menaxhimin e bizneseve të vogla dhe të mesme në Shqipëri
2024-07-11 10:46:02

Plani i biznesit (Foto Telegrafi)

Plani i biznesit (Foto Telegrafi)

Një biznes kërkon menaxhimin e duhur për të kaluar nga një stad në tjetrin. Kjo kërkon njohuritë dhe eskpertizën e duhur për të qenë vendimtar në momente të caktuara të ecurisë së një kompanie. Në një intervistë për mediat Anila Bregasi, konsulente biznesi, tregon se cilat janë problematikat që vërehen në menaxhimin e  bizneseve të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

“Nisur nga përvoja dhe eksperienca ime personale në Shqipëri, duke qenë se kam parë disa biznese të ndryshme mendoj që sot ka ardhur koha që biznesi shqiptar të kalojë  në një tjetër këndvështrim. Biznesi shqiptar ka qenë kryesisht familjar, i nisur nga personat të cilët patën iniciativën, kurajën, zgjuarsinë, të sfidonin për momentin gjithë pengesat që kishte tregu shqiptar apo tregu ndërkombëtar dhe arritën të krijonin strukturat e vogla të biznesit, të cilat një pjesë fatmirësisht janë rritur dhe kanë arritur fazat e biznesit nga mikro në SME. Është pjesa tjetër e bizneseve, të cilat janë start up dhe kemi në Shqipëri shumë biznese të cilat duan të fillojnë aktivitetin e tyre me të rinj, të reja apo dhe persona të tjerë, të cilët kanë një praktikë në jetën e tyre dhe duan ta kalojnë në fazën e një mikrobiznesi. Që do të thotë në tregun shqiptar kemi start upe, bizneset SME që janë të faturuara, kemi dhe bizneset post SME që janë të maturuara por kanë nevoja të ndryshme për të bërë investime. Nisur nga këto tre segmente, unë mendoj që tregu shqiptar tashmë ka nevojë që biznesi shqiptar nuk mund të ecë më i vetëm në menaxhimin e këtyre problematikave, sfidave, apo dhe oportuniteteve, sepse jo gjithçka është problematikë.”

Biznesi familjar (Foto Ekonomia online)

Biznesi familjar (Foto Ekonomia online)

E rëndësishme për një biznes është të standardizohet me menaxhime dhe struktura menaxhimi.

“Mund të jetë shumë mirë oportunitet. Që do të thotë se biznesi familjar ka të mirat e veta, pasi ka besimin, rritet familja, rriten të mirat, por krahas rritjes, ka edhe disa problematika të tjera të cilat e frenojnë. Të jesh me familjen është mirë, por duhet tashmë që biznesi familjar të standardizohet me menaxhime dhe struktura menaxhimi, sipas standardeve të cilësisë, sisteme menaxhimi që i kërkon koha, për të ulur koston, për të rritur shitjet, për të menaxhuar më mirë njerëzit, por i kërkon edhe e ardhmja pasi në momentin që biznesin tënd e formalizon ke mundësinë që ta bësh biznesin më konkurrent dhe  ta organizosh më mirë punën brenda biznesit. Ke mundësi që produktin tënd, duke ulur disa kosto të panevojshme të cilat nuk kuptohen duke qenë të gjithë në biznes, të gjithë duke menaxhuar, por kupton edhe kur ti vendos disa standarde. Një biznes familjar, pa një strukturë organizative të saktë, mbart riskun e shumë problematikave. Është risk i marrëdhënieve të cilat bëhen informale, marrëdhëniet kontraktuale palë me palë. Është risku i ndarjeve të punës, që nuk mund të bëhet në mënyrën e duhur. Gjithashtu është risku i mos pasjes së pjesës së tregut të munguar sepse po nuk u ndanë siç duhet strukturat në një biznes, ekziston risku që një strukturë e caktuar apo një person i caktuar të bëjë shumë gjëra dhe pjesa tjetër të merret me punë operacionale. Ka një lloj mbivendosje të proceseve të punëve dhe të gjithë problematikave të tjera.”

Për revistën “Monitor”, Anila Bregasi tha se edhe matja e performancave të çdo punonjësi është një element i rëndësishëm në menaxhimin e punës në një kompani.

“Një strukturim në biznes do të thotë që ndarja e punëve të bëhet në mënyrë të duhur, po ashtu dhe ndarja e përgjegjësive. Menaxheri të mos fokusohet tek gjerat operacionale dhe të vogla, të cilat përkthehen në humbje kohe për menaxherin, në humbje mundësie, pasi një menaxher i cili merret me gjëra të vogla nuk e ka mundësinë dhe vizionin të shikojë gjërat e mëdha ku duhet të japë maksimalen e vet. Ai  ka nevojë që të fusë struktura organizative dhe sisteme të matjes së performancave të gjurmueshmërisë së punës, sisteme të ndryshme të teknologjisë. E gjithë kjo do të thotë që biznesi tashmë ka nevojë për një forcë tjetër për të ecur përpara. Nuk mundet më të ecë me ato formate që ka ecur një biznes familjar për të pasur sukses në treg. “

Puna me SME (Foto Business Insider)

Puna me SME (Foto Business Insider)

Kryesisht bizneset ndahen sipas mënyrës së organizmit dhe udhëheqjes së tyre. Para se një biznes i ri të fillojë veprimtarinë e tij, e para që duhet të vendoset është struktura organizative që do të përdoret.

“Ndarja e biznesit në strukturë organizative në Shqipëri mungon. Besoj se 80 apo 90% e bizneseve SME, nisur nga eksperienca ime reale, nuk kanë një ndarje organizative të punëve. Kjo do të thotë se 90 % të punëve si proceset e vendimmarrjes, të problematikave të ndryshme, por edhe blerjet e vogla, investimet dhe të gjitha këto bien tek pjesa e ortakut kryesor, që mund të jetë zotëria që ka bërë biznesin, vëllai apo dikush tjetër, apo një person shumë i afërt me biznesin. Kjo nga ana tjetër sjell ngarkesën e personit dhe është koha që Shqipëria të flasë me standarde kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Ajo çfarë ndërmarrjet familjare i bën të veçanta dhe që i dallon nga ndërmarrjet e tjera që nuk janë në pronësi të familjes, është diversiteti i interesit familjar dhe interesit të ndërmarrjes në sistemin unik të biznesit familjar.